Të fundit

Dyshimet për kurdisjen e tenderit milionësh në Prishtinë, eksperti i OSHP-së rekomandon të kthehet në rishqyrtim

Komuna e Prishtinës ka kryer shkelje administrative me refuzimin e kërkesave për rishqyrtim në një tender me vlerë të parashikuar mbi një milion euro kundër të cilit janë ngritur dyshime për kurdisje.

Një eksperte e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka konstatuar se Zyra e Prokurimit të Komunës së Prishtinës i ka hedhur poshtë në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret në fuqi të prokurimit publik, ankesat kundër Dosjes së Tenderit.

Tenderi për projektin e vendosjes së kamerave në kryeqytet dyshohet të jetë i kurdisur, me kriteret e Dosjes së Tenderit që dyshohet se i janë përshtatur një kompanie, ka raportuar Paparaci rreth dy javë më parë.

Javën e kaluar, të martën e 10 tetorit, ekspertja e OSHP-së shtoi hije të tjera dyshimi për manipulimin me këtë tender.

Ekspertja e OSHP-së e shpalli të pranueshme ankesën e një kompanie kundër tenderit dhe e ktheu atë në rishqyrtim te Zyra e Prokurimit në Komunën e Prishtinës.

“Duke u bazuar në LPP, RRPP dhe Interpretimin e KRPP, eksperti shqyrtues sqaron se AK ka bërë shkelje kur i ka refuzuar kërkesat për rishqyrtim si të jashtëafatshme dhe nuk i ka trajtuar fare pretendimet e ngritura. Pra, dorëzimi i kërkesës për rishqyrtim me datën 20/09/2023, pas orës 16 llogaritet se është dorëzuar me datën 21/09/2023 e cila është edhe dita e fundit për dorëzimin e kërkesave, që është shumë në rregull dhe brenda afatit”, thuhet në raportin e ekspertizës së OSHP-së.

“Duke u bazuar në atë çfarë sqaruam më lartë, eksperti shqyrtues rekomandon se lënda duhet të kthehet në rishqyrtim dhe sipas LPP-së, AK duhet të jap përgjigje në të gjitha pretendimet e kërkesës për rishqyrtim të ngritura nga OE ankues, brenda afatit të paraparë ligjor”, thuhet në raport.

Në fundit të shtatorit të këtij viti, Komuna e Prishtinës e ka pezulluar këtë tender për shkak të kontestimit të lëndës në OSHP. Aty janë ngritur dyshime se tenderi i parashikuar në vlerë prej 1,350,000.00 euro është i kurdisur.

Në ankesën e parashtruar pranë OSHP-së, “Professional Alarm L.L.C”, një kompani private me bazë në Prishtinë, ka paraqitur argumente mbi dyshimet për përshtatjen e kritereve të tenderit për një operator ekonomik.

Kriteret i janë përshtatur prodhuesit kanadez të kamerave, “AVIGILON”.

Sipas Dosjes së Tenderit, produktet e kërkuara nga Komuna e Prishtinës përmes këtij tenderi “i përshtaten një prodhuesi dhe është e pamundur që këto specifika të plotësohen nga prodhues të tjerë”.

“Duhet theksuar qe jo vetem pozicionet e cekuar me lartë i janë përshtatur prodhuesit AVIGILON por ka edhe produkete tjera qe i jane pershtatur po te njejti prodhues i cili e eshte nje prodhues i vecant dhe eshte e pamundur qe keto specifika te plotesohen me prodhues tjere dhe kështu ju keni diskriminuar të gjithë prodhuesit tjerë dhe rrjedhimisht edhe OE qe merren me sisteme te sigurisë dhe qe opereojn ne Kosovë”, thuhet në një nga pikat e pretendimeve të ngritura nga ankuesi në OSHP.

Pavarësisht prej dyshimeve të ngritura për kurdisjen e këtij tenderi, Komuna e Prishtinës ka thënë për Paparacin se do të dorëzojë “prova dhe argumente” për të mbrojtur Dosjen e Tenderit në OSHP.

Në një përgjigje me shkrim për Paparacin në fund të muajit të kaluar, Arlinda Kastrati, zëdhënëse e Komunës së Prishtinës, ka thënë se pretendimet ankimore do të trajtohen dhe vlerësohen nga OSHP-ja, megjithatë komuna do të “ofrojë prova dhe argumente të rastit”.

Dyshime për kurdisjen e tenderit milionësh në Prishtinë, kontestohet në OSHP

Video nga Paradoks

Audio-incizimi: Gërvalla premton që do t’i sjellë para bordit dy agjentët e AKI-së

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci