Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një komunikate për media, ka njoftuar për bastisjet e fundit në Kosovë.
Në komunikatë, thuhet se ZPS-ja po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë, në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Tutje, Zyra e Prokurorit ka njoftuar se këtë javë janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe janë mbështetur nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), shkruan Paparaci.
Gjatë kësaj jave, janë kryer disa bastisje në Kosovë, ku Specialja në bashkëpunim me policinë dhe EULEX-in, kanë kryer operacione në shtëpitë e Artan Behramit, Ismail Syla, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj, të cilët janë ish-këshilltarë dhe ish-bashkëpunëtorë të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili po gjykohet pranë Dhomave të Specializuara në Hagë./Paparaci