Pesë gra u trajtuan në spitalet e rajonit të Prishtinës të mërkurën dhe të enjten. Shkak ishin plagët e marra nga dhuna e burrave. Një grua tjetër dyshohet se është dhunuar psiçikisht në kryeqytet. Gjashtë burra janë ndaluar nga policia.
Fushatat për parandalimin e dhunës në familje dhe, posaçërisht, asaj ndaj grave nuk po rezultojnë efektive. Së paku jo deri më sot. Vetëm në 24 orët e fundit, në rajonin e Prishtinës janë regjistruar gjashtë raste të dhunës ndaj grave.
Rastet e dhunës janë raportuar të mërkurën dhe të enjten.
Bazuar në rastet e raportuara nga Policia e Kosovës, gjashtë burra kanë ushtruar dhunë ndaj grave në Prishtinë, Drenas e Podujevë – të gjitha vendbanime në rajonin e Prishtinës. Pesë prej rasteve janë cilësuar si dhunë fizike, ndërsa një është cilësuar si dhunë psikike.
Pesë gra të sulmuara kanë pranuar trajtim mjekësor në spitale, tha policia, raporton Paparaci.
Një nga rastet më të rënda të dhunës në familje të 24-orëve të fundit në Prishtinë, u raportua të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Një burrë dyshohet se e ka sulmuar fizikisht një grua me të cilën po bashkëjetonte.
“Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar, me të cilin viktima është duke bashkëjetuar”, tha policia.
Gjashtë burrat e dyshuar për dhunë janë arrestuar nga policia dhe po mbahen në ndalim. /Paparaci.com