Të fundit

Gjykata Komerciale detyron RTK-në t’ia kompensojë 373 mijë euro kompanisë “Grand Media”

Dhoma e Shkallës së Parë e Gjykatës Komerciale ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e N.SH “Grand Media” dhe ka detyruar Radio Televizionin e Kosovës, që në emër të dëmit të shkaktuar si pasojë e mospërmbushjes së kontratës, të ia paguajë të njëjtit shumën prej 373 mijë e 741 euro e pesëdhjetë e katër cent.

Krejt kjo me kamatë ligjore si për mjetet e deponuara në bankat komerciale në periudhë kohore prej një viti, të llogaritur nga data e parashtrimit të padisë, më 28 maj 2014, e deri në pagesën definitive, në afat prej 7 ditëve nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast Enis Ujkani pronar i “Grand Media” përmes padisë ka kërkuar 1 milion e 463 mijë e 117 euro kompensim nga RTK-ja për mospërmbushje të kontratës lidhur me transmetimin e emisionit “Kush do të bëhet milioner”.

Ndërkaq përmes këtij vendimi Gjykata Komerciale ka refuzuar si të pabazuar pjesën tjetër të kërkesëpadisë së N.SH “Grand Media”, me të cilën ka kërkuar që të detyrohet RTK që në emër të dëmit të shkaktuar si pasojë e mospërmbushjes së kontratës, të ia paguajë paditësit në emër të fitimit të humbur shumën prej 1,339.943.14 € si dhe në emër të fitimit të humbur nga marketingu dhe sponsorët shumën prej 250,066.64 €, me kamatë ligjore sipas normës së interesit vjetor prej 8%.

Në vendimin e Komerciales thuhet se lartësinë e kompensimit gjykata e ka përcaktuar nga ekspertiza financiare e punuar nga grupi i tre eksperteve me të cilën është konstatuar që dëmi material për obligimet pesë mujore të paditësit sipas nenit 14 të kontratës arrin në vlerën prej 340.808,00. € si dhe borxhi i mbetur në emër të faturave të pa paguara nga e paditura arrin në vlerën prej 32,933.54 €, ku në total borxhi dhe fitimi i humbur arrin në shumën prej 373,741.54 €.

Kësaj ekspertize thuhet se gjykata ia fali besimin sepse konstatimet e grupit të ekspertëve përputhen në tërësi edhe me provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Sipas vendimit të gjykatës, në këtë rast nga gjendja faktike e vërtetuar rezulton se gjatë periudhës kohore nga data 1 mars 2011 deri me datën 1 qershor 2012 janë realizuar gjithsej 63 emisione “Kush do të bëhet Milioner”, për të cilat emisione, nga vlera e faturimeve rezulton se i padituri i ka paguar paditësit shumën prej 1,040,616.46 €, duke i mbetur borxh në emër të faturave edhe shumën prej 32,933.54 €, ndërsa pas kësaj periudhe rezulton se nuk ka vazhduar transmetimi i emisioneve të lartcekura.

“Në rastin konkret rezulton se i padituri në mënyrë të njëanshme pa ndonjë arsye dhe pa paralajmërim ka shkëputur kontratën me paditësin, andaj edhe është krijuar baza ligjore për kompensimin e dëmit të pësuar, që ka rezultuar si pasojë e shkëputjes së njëanshme dhe në kundërshtim me Ligjin dhe dispozitat kontraktuese të Kontratës mbi emetimin televiziv”, thuhet në aktgjykimin e shkallës së parë të Komerciales.

Gjykata ka refuzuar dëgjimin e dëshmitarëve B.H., M.L., M.L.1. dhe Nj.N., si dhe propozimin për nxjerrjen e provës përmes ndihmës juridike ndërkombëtare për sigurimin e të dhënave lidhur me përfitimin e paditësit nga imitimi i emisioneve të tij në Maqedoni dhe Shqipëri.

“Meqenëse sipas vlerësimit të gjykatës, dëgjimi i të njëjtëve dhe sigurimi i provave përmes ndihmës juridike ndërkombëtare, nuk do të kishte ndikim për vendosje në këtë çështje juridike, ndërsa provat tjera të administruara lidhur me këtë çështje juridike, gjykata i ka vlerësuar mirëpo ka gjetur se të njëjtat nuk kanë ndikim për vendosje në këtë çështje juridike”, shkruan në vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Sipas padisë së 28 majit 2014 “Grand Media” me pronar Enis Ujkanin, ka paditur Radio Televizionin e Kosovës për mospërmbushje të kontratës, të cilën e kishin lidhur më 15 mars 2011 për emetimin e emisionit “Kush do të bëhet milioner”, i cili është transmetuar rregullisht dhe ekskluzivisht vetëm në RTK.

Sipas padisë, e paditura ishte e detyruar që për shërbimet e ofruara të auditimit ta paguante shumën prej 1 milion e 463 mijë e 117 euro, e paraparë të paguhet me disa këste. Paditësi thuhet se e ka përmbushur në tërësi kontratën, mirëpo për shkak se e paditura nuk është duke iu përmbajtur kontratës së nënshkruar vazhdimisht, kanë kërkuar që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet eventuale lidhur me realizimin apo mosrealizimin e kësaj kontrate.

Në padi, theksohet se kontrata e lartcekur është valide dhe ende në fuqi dhe se borxhi kontestues rrjedh prej faturave të cilat janë edhe prova të bashkëngjitura në kontratë.

Mbi këtë bazë, paditësi po kërkon nga gjykata që ta detyrojë të paditurën që t’ia paguajë paditësit shumën prej 1 milion e 463 mijë e 117 euro, me kamatë ligjore prej 8% nga dita e paraqitjes së padisë deri në pagesën definitive, e gjithashtu t’ia paguajë shpenzimet e procedurës.

Video nga Paradoks

Intervistë ekskluzive: Valdet Zekaj rrëfen në detaje ngjarjen e Kumanovës

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci