Të fundit

​Për herë të gjashtë dështon konstituimi i Komisionit hetimor për rezervën shtetërore

Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, edhe pas tentativës së gjashtë nuk është konstituar. Kjo për shkak mungesës së mazhorancës.

Kryesuesi në këtë komision, Rashit Qalaj ka ritheksuar se deputetet nga pozita qëllimshëm po pamundësojnë konstituimin e këtij komisioni me qëllim që të fshihen pas të vërtetave lidhur me keqpërdorimet e rezervave shtetërore.

Lidhur me shkresën zyrtare që kanë dërguar te zyra ligjore, Qalaj tha se kanë marrë opinion porse pa sqarime.

“Ata janë duke bojkotuar punën e vetëm këtij komisioni, të gjitha komisionet tjera janë duke funksionuar, dhe shtrohet pyetja pse. Sepse ky komision është i vetmi që është duke u marr me hetimin e dyshimeve për keqpërdorim të rezervave shtetërore dhe padyshim ne mund të themi se deputetet e VV-së janë duke tentuar që me bojkotimin e këtij komisioni, te bojkotojnë edhe informimin e publikut për keqpërdorimet që janë bërë me rezerva shtetërore. Kemi dërguar letër nëpërmjet kryetarit të Kuvendit, zyrës ligjore për çështjen e mungesës së kolegeve të VV-së, dhe kemi marrë një opinion pa opinion. Pra, nuk sqaron asgjë, është një opinion i cili e shton konfuzitetin, vetëm se janë përmendur detyrimet e deputeteve që janë të obliguar të marrin pjesë në punën e Kuvendit, mirëpo nuk kanë sqaruar se çfarë mund të bëjmë gjatë procedurave dhe dyshimeve që kemi ngrit, se a mund t’i zëvendësojmë koleget që po vinë nga partia e njëjtë, apo kemi të drejtë që të vazhdojmë dhe të kërkojmë edhe anëtar të komisionit nga parti tjera që kanë vullnet të vinë në këtë komision. Kemi shumë fakte që do t’i bëjmë publike javën e ardhshme, do të bëjmë publike edhe njerëzit që kemi planifikuar dhe do duhej të ishin këtu për t’i intervistuar duke u nisur nga kryeministri Kurti e deri te personi fundit”, tha Qalaj.

Qalaj shtoi se pas takimit të radhës do të vendosin nëse do ta bartin debatin në Kuvend të Kosovës apo do të bëjnë përpjekje ta themelojnë këtë komision.

Ndërkaq, deputeti nga AAK, Pal Lekaj ka vendosur disa letra në karriget e deputeteve që nuk janë prezent, ku ka shënuar pagat të cilat secili prej këtyre deputetëve merr nga Kuvendi.

“Unë kam vendosur sot në mënyrë simbolike të gjithë deputeteve që nuk janë prezent dhe e bojkotojnë, me tregu sa para marrin dhe sa kanë marrë deri sot, dhe i bojkotojnë. Në shenjë simbolikë po ua vë në karrige dhe ta shohin që ata janë të obligueshëm dhe të vinë “, tha Lekaj.

Ndërsa, deputetja nga LDK, Doarsa Kica ka ftuar ministren për një seancë dëgjimore që të raportojë për dyshimet që kanë lidhur me keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

“Ne duhet të procedojmë me një propozim amendament të ligjit për hetim parlamentar, i cili rregullon problematiket që na shpërfaqet me nenin i cili kërkon që minimumi i kuorumit të jetë me shtatë anëtar të komisionit… Propozoj që ky komision ta ftoj ministren e MINT në një seancë dëgjimore, në mënyrë që kjo të na shërbejë se çka ne mund të përfshimë në plan të punës nëse vjen situata deri aty”, tha Kica.

Ideja për formimin e Komisionit hetimor lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore ka ardhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Video nga Paradoks

Intervistë ekskluzive: Valdet Zekaj rrëfen në detaje ngjarjen e Kumanovës

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci