Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, gjatë seancës së sotme, para deputetëve në Kuvend tha se sfidat e dy viteve të fundit që e përcollën procesin e dialogut ishin të vështira.
Ajo është shprehur se këto sfida tregojnë edhe një realitet tjetër.
“Sfidat e dy viteve të fundit që e përcollën procesin e dialogut ishin të vështira dhe treguan një realitet tjetër, prej asaj çka donin të besonin ata që ishin përgjegjës më herët për dialogun”, u shpreh ajo.
Kusari-Lila tha se në Bruksel me 26 tetor, siç u shpreh ajo, u fol vetëm në emër të interesit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Në Bruksel me 26 tetor, sikur çdoherë në këto dy vitet e fundit, prapë u mbrojt dhe u fol vetëm në emër të interesit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Më 26 tetor, ashtu sikurse edhe me 27 shkurt në Bruksel dhe me 18 mars në Ohër, Serbia nuk nënshkroi marrëveshje me Kosovën”, u shpreh Kusari-Lila.
“Kjo tregon se synimi i qartë i Serbisë për moszgjidhjen e kësaj situate e në veçanti kur tani atje u shpallën edhe zgjedhjet parlamentare, për të cilat një gjë është e sigurtë, se nuk do të mbahen në Kosovë”, u shpreh tutje ajo.