Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e ka vazhduar raportimin e tij në Kuvendin e Kosovës, teksa ka përdorur përsëri batutën e tij të famshme “a me koordinim a po koordinim”.
Në fjalën e tij lidhur me publikimin e draft-statutit të marrëveshjes me Serbinë, Kurti deklaroi se nuk mund ta publikojë pasi që ashtu është akorduar me partnerët ndërkombëtarë.
“Unë e kuptoj kërkesën tuaj për me pa draftin, por emisarët evropianë dhe ata amerikanë kanë thënë mos me publiku draftin. Tash a me koordinim a pa koordinim, qysh po doni?
Ata më thanë mos e bë publik. Unë atë e kam ndarë me presidenten e republikës pasi që ajo është shefja e shteti. Unë jam në koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtare, nëse e publikoj atë i bie se nuk jam në koordinim. Vetëm tregoni qysh po doni se jam në hall me ju”, tha kryeministri Kurti.
Në fjalën e tij hyrëse, Kurti përsëri potencoi se nuk do të ketë Zajednicë të nënshkruar nga ai.
“Prej se jam bërë kryeministri, deputetët opozitarë çdo dy muaj thonë është bërë Zajednica. Ku e keni Zajdenicën, ku është Zajednica? Nëse iu kishte treguar dikush se në vjeshtën e viti 2023 nuk do të ketë Zajednicë nuk do të kishit besuar dhe nuk do të ketë”, deklaroi Kurti.