Pas protestës së 1 nëntorit, Njësia Speciale Intervenuese (NjSI) ka paralajmëruar protestë sërish më 7 nëntor, ditën e martë.
Njësia më elitare e Policisë së Kosovës ka dorëzuar paralajmërimin e protestës në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë.
Në paralajmërimin e tyre bëhen të ditura detajet e protestës. Qëllimi kryesor i kësaj proteste është shprehja e pakënaqësisë lidhur me pagën, rrezikshmërinë dhe shtesat e tjera që iu takojnë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Protesta e organizuar nga Njësia Speciale Intervenuese do të mbahet në Sheshin Skenderbeu (para objektit të qeverisë). më 7 nëntor, me fillim nga ora 12:00.
Përpos NjSI në protestën e 7 nëntorit do të marrin pjesë edhe pjesëtarë të NjTME.
NjSI kishte protestuar edhe ditën e martë më 1 nëntor, mirëpo kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh.
Njësiti elitar i Policisë së Kosovës kishte shprehur pakënaqësitë lidhur me propozimin e qeverisë me shtesat e rrezikshmërisë.
Sipas propozimit të Qeverisë prezantuar javën e kaluar shtesat për njësitë elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të Afërt), janë nga 150 euro shtesë pagës bazë.