Policia e Kosovës ka publikuar pamjet e shkëmbimit me armë zjarri që kanë pasur disa pjesëtarë të policisë së Kosovës me disa hajna të cilët kishin tentuar të vjedhin një bankomat të cilin e kishin shpërthyer me mjet plasës.
“Patrulla e policisë me të arritur në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kanë filluar të shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së policisë, duke dëmtuar në masë të madhe veturën zyrtare, mirëpo dy policët që ishin në veturë nuk kanë pësuar ndonjë lëndim trupor, ndërsa në shkëmbim të armëve të zjarrit i janë përgjigjur edhe zyrtarët policor dhe të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë karavan, ngjyrë e zezë, në drejtim të panjohur dhe në veturë dyshohet se ishin 4 persona me armë të gjata.”, thotë policia e Kosovës.
Policia gjithashtu ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonalë të cilët i kanë nisur hetimet së bashku me prokurorin kujdestar. Gjithashtu edhe njësitet e deminimit të policisë së Kosovës ishin në vendin e ngjarjes.
Policia ka njoftuar se cak i hajnave ishin 3 bankomatë që gjendën në skaj të rrugës magjistrale në parkingun e Supërvivës në Ferizaj.
“Personat e maskuar fillimisht me një mjet plasës kanë shpërthyer njërin bankomat, ndërsa kanë dëmtuar edhe dy bankomatët tjerë, mirëpo falë intervenimit të shpejtë të policisë, posa arrinë patrulla e parë policore, të dyshuarit fillojnë të shtënë në drejtim të veturës së policisë dhe të largohen nga vendi i ngjarjes.”, ka sqaruar policia.
“Nga të dyshuarit në këtë rast janë përdorur mjet eksplozivi në bankomat dhe pushkë automatike në drejtim të policëve në veturën e policisë. Hetuesit rajonal pasi kanë kryer egzaminimet në vendin e ngjarjes, në bashkëpunim edhe me njësitet tjera të policisë rajonale janë në kërkim të personave të dyshuar. Rasti është cilësuar ” Vrasje e mbetur në tentativë, grabitje e armatosur e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.”, thotë policia duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për të identifikuar të dyshuarit.
“Ndërsa, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë. Nëse kanë informata për personat e dyshuar që lidhet me grabitjen e armatosur të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë. Me autorizim të prokurorit të rastit, me këtë komunikatë i bashkangjesim 2 video të rastit.”, thotë policia. /Paparaci.com/