Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në debatin e Kuvendit të Kosovës ku erdhi në shprehje formalizimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë ka treguar për një garancë sipas tij që e ka marrë gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka thënë se në Departamentin Amerikan të Shtetit i ka pyetur për këtë çështje dhe në SHBA i kanë dhënë garancë se asgjë nuk do të dalë jashtë planit të Ahtisarit, shkruan Paparaci.com.
“Sepse në prill kur isha në SHBA pikërisht për këtë çështje shkova ne DASH, për me i marrë sqarimet më të sakta, për këtë temë që ju po e trajtoni si eksterritorialitet dhe kam marrë garancë nga SHBA-të që ata nuk e marrin këtë çështje përtej planit të Ahtisaarit, prandaj kur po iu dëgjoj juve, nuk po ju kuptoj, përveç nëse doni me e bë vet kur të vini në pushtet.”, tha Konjufca.
“Ju mund të mos më besoni, por unë pikërisht për këtë çështje kam shkuar atje, si e kuptoni këtë çështje, ata kanë thënë krejt çka kuptojmë ne dhe çfarë kërkojmë nga ju, në kuptimin e statusit të Kishës, nuk kërkojmë kurrgjë tjetër, formalizimi i statusit është qaj ligji që është tu prit për Listën Serbe, qaj ligj është që nuk ka ende status të formalizuar Kisha Serbe, ju lutem për çdo gjë që doni t’ia ngarkoni Kosovës, besoj më keni kuptu, ju kisha lutë për gjithçka që po mendoni që ka më shumë, ju lutem konsultohuni me qata që jam konsultuar edhe unë.”, tha gjithashtu ai.
Këtij deklarimi i ka replikuar kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i cili tha se nuk e kupton arsyen e përfshirjes së kësaj çështjeje në marrëveshjen Kosovë – Serbi meqenëse mund të rregullohet brenda Kosovës.
“Unë po të them ty sot, shpresoj që të jetë ashtu siç po thua ti. Me ata që ke biseduar ti, kemi biseduar edhe ne. Nëse nuk duhet me pasë asnjë hap përpara përtej ligjeve ekzistuese të Kosovës dhe Kushtetutës së vendit tonë, pse duhet me i përfshi ato në një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, nëse ky rregullim i brendshëm po ekzistojka, pse atëherë e ka pranuar kryeministri këtë gjë, formalizimi nuk është thjesht siç po thuani ju, atë ligj që ka legjislaturë pas legjislature s’mundemi me e kalu për shkak të deputëtëve serbë, sepse ajo s’ka të bëjë me kishën, ajo i rregullon të gjitha besimet fetare.”, tha Krasniqi. /Paparaci.com/