Ndonëse fitorja do të ishte më e mirë, trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka deklaruar se është ndarë i kënaqur me barazimin ndaj Astanës.
Kampioni i Kosovës u ndal me barazim nga Astana, përkundër se dominoi ndeshjen që nga fillimi.
Trajneri Daja ka mbetur i kënaqur me këtë barazim dhe shpreson se futbollistët e tij do të vazhdojnë të luajnë njësoj.
“Do të thoja që për ata që provuam merituam pak më shumë pasi kishim administrimin e topit dhe nuk ia kemi lënë topit kundërshtarit. Kemi pasur shanset tona që nëse do të ishin shfrytëzuar do të shënonim gol. Kemi bërë një lojë shumë të mirë sepse ndryshimi i orareve është e ndjeshme por nuk e reflektuam farë këtë gjë dhe bëmë një lojë më të mirë sesa në Prishtinë. Kundërshtari ishte i fortë dhe jam i kënaqur me barazim, pavarësisht se fitorja do të ishte më e mirë.
Ndeshja shkoi sipas planit, luajtëm me dy qendërsulmues. Hamidi e Kryeziu ishin në pozitën e qendërsulmuesit. Kemi bërë pak gabim, ndërsa në mbrojtje ishim shumë mirë pasi kemi analizuar kundërshtarin. Besoj se mund të kishim bërë më mirë me topa horizontal, pasi kishte hapësira midis tyre. Por gjithsesi mendoj se është një ndeshje shumë pozitive nga ana jonë. Kemi barazuar rekordin tonë nga viti i kaluar. Jemi mirë dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë”, ka thënë fillimisht trajneri Daja pas ndeshjes.
Tekniku shqiptar ka deklaruar se do të vazhdojnë të luftojnë deri në fund, ani pse synimet primare nuk ishin kalimi i grupit.
“Nuk kemi pasur objektiv kalimin e grupit, ku objektiv u rrit me fitoren e Dinamos së Zagrebit, ne do të vazhdojmë të japim kontributin tonë për ta përfaqësuar sa më mirë kampionatin e Kosovës. Çfarë do të ndodhë pastaj do të shohim me përfundimin e këtyre ndeshjeve, shpresoj se do të bëjmë mirë ndaj Viktoria Plzenit”, përfundoi Daja.