Të fundit

​Kurti takon një grup profesorësh nga Shkolla Normale Superiore në Paris

Në prag të Forumit të Paqes në Francë, kryeministri Albin Kurti sot ka zhvilluar një takim me një grup profesorësh e kërkuesish nga Shkolla Normale Superiore në Paris (ENS).

Në një postim në Facebook, kryeministri Kurti shkruan se ftesa për takim me një grup profesorësh e kërkuesish si Marc Crépon, Blaise Wilfert, Perrine Simon-Nahum, me në krye Frédéric Worms, njëherësh edhe Drejtori i ENS-së, ishte rast i veçantë për të diskutuar mbi aktualitetin.

“Mendimi i tyre më intereson po sa ai i vepruesve më të fortë në gjeopolitikë, gjeo-strategji dhe në ekonominë globale. Udhët më të përgjegjshme të reflektimit dhe rezistencës mbi dhe ndaj krizave projektohen në mjedis të tillë. Një shkollë e tillë prodhon rezervën teorike dhe morale të Republikës”, shkruan Kurti.

Ai ka bërë të ditur se gjatë vizitës kishin pranë edhe studentët e Kosovës të regjistruar në Shkollën Normale.

Postimi i plotë:

Nuk ka një institucion tjetër botëror të dijes dhe mendimit, studentët dhe profesorët e të cilit t’i kem lexuar më shumë: Henri Bergson, Jean-Paul Sartre, Maurice Merleau-Ponty, Loius Althusser, Etienne Balibar, Michel Foucault, Jacques Derrida, Alain Badiou, Jacques Ranciere, Raymond Aron, etj.

1794 është viti i krijimit të Shkollës Normale Superiore në Paris (ENS). Themelimi dhe konceptimi i saj u krye nën idenë e përqendrimit të aftësive, të strukturimit dhe bashkërendimit të dijeve, për t’i shpërndarë më tej, nën devizën e Republikës që është e shkruar mbi portën kryesore të saj.

Në një vend të tillë lëmenjtë kryqëzohen, njerëzit e takojnë njëri-tjetrin në thelb të inteligjencës dhe imagjinatës së tyre. Dhe ky natyrisht është takimi më afatgjatë i njerëzve me qëllimin kozmopolitik të llojit njerëzor. Nga dyert e kësaj shkolle kanë dalë gjenerata mendimtarësh dhe dijetarësh, filozofësh dhe shkencëtarësh që përbëjnë krenarinë franceze dhe kureshtjen botërore. Fatin e kësaj shkolle e përcakton risia e kërkimit që vjen prej diferencës në talentin e studentëve dhe kërkuesve të saj.

Me këtë peshë rëndësie e pranova ftesën e arkeologut të afërt me Kosovën, anëtarit të njohur të kësaj shkolle, Christophe Goddard. Ftesa për takim me një grup profesorësh e kërkuesish si Marc Crépon, Blaise Wilfert, Perrine Simon-Nahum, me në krye Frédéric Worms, njëherësh edhe Drejtori i ENS-së, ishte rast i veçantë për të diskutuar mbi aktualitetin.

Mendimi i tyre më intereson po sa ai i vepruesve më të fortë në gjeopolitikë, gjeo-strategji dhe në ekonominë globale. Udhët më të përgjegjshme të reflektimit dhe rezistencës mbi dhe ndaj krizave projektohen në mjedis të tillë. Një shkollë e tillë prodhon rezervën teorike dhe morale të Republikës. Dëshminë më të mirë patëm fatin ta shohim në bibliotekën e mrekullueshëm të Shkollës dhe kur na u prezantua një pjesë e punës dhe mjeteve me të cilat studiuesit e arkeologjisë hulumtonin rezultatet në sitin e Ulpianës. Gjatë vizitës ne kishim pranë edhe studentët e Kosovës të regjistruar në Shkollën Normale.

Duhet të frymëzohemi prej qendërzimeve të kësaj ambicieje për rigjenerimin e vazhdueshëm të ekosistemit tonë universitar.

Ishte një garanci sa dhe kënaqësi të isha mes tyre për pothuaj dy orë.

Video nga Paradoks

Intervistë ekskluzive: Valdet Zekaj rrëfen në detaje ngjarjen e Kumanovës

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci