Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me gjetjen e mbetjeve mortore të tre individëve.
Mbetjet dyshohet të jenë të luftës së fundit të vitit 1999.
“Njësitet e DHKRL-së së bashku me komisionin qeveritar për persona të zhdukur dhe IML-në, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me ç’ rast në fshatin Prekaz i Poshtëm, kanë gjetur mbetje eshtrave që dyshohet se janë të së paku tre personave, të cilët dyshohet se janë në listën e personave të zhdukur gjatë periudhës së luftës së fundit në vitin 1999”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ministrja e Drejtësisë, Albuelna Haxhiu kishte njoftuar dje se në Prekaz të Poshtëm janë gjetur mbetjet mortore të tre individëve.
Haxhiu ka thënë se mbetjet do të dërgohen në IML për vazhdimin me procedurat e ekzaminimit dhe identifikimit mjekoligjor.
“Në vendin ku janë gjetur mbetjet mortore, punimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim”, ka shkruar ndër të tjera ajo.
“Në Prekaz të Poshtëm gjenden mbetjet mortore të tre individëve. Ekipet e Institutit të Mjeksësisë Ligjore me mbështetjen e EULEX, KQPZH dhe PK, kanë lokalizuar mbetjet kockore të së paku tre individëve të cilët dyshohet se janë nga lufta e fundit në Kosovë. Mbetjet do të dërgohen në IML për vazhdimin me procedurat e ekzaminimit dhe indentifikimit mjekoligjor. Në vendin ku janë gjetur mbetjet mortore, punimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim”, thuhej në postimin e saj.