Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani e sulmuesi me pritshmëritë më të mëdha te Kosova, Edon Zhegrova nuk janë parë në listën e publikuar sot nga Federata e Futbollit e Kosovës për ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian.
Kosova të dielën do ta zhvillojë ndeshjen e mbetur ndaj Izraelit, teksa në nëntor do të zhvillojë edhe dy ndeshje tjera për ta përmbyllur ciklin kualifikues.
Pas fitores ndaj Andorrës, te Kosova u shtuan shpresat për një kualifikim në “Euro 2024” mirëpo pikërisht kur pritshmëritë janë rritur, Amir Rrrahmani e Edon Zhegrova kanë zgjedhur të luajnë për skuadrat e tyre përpara se ta përfaqësojnë Kosovën.
Kapiteni i Kosovës është parë sot në stërvitje me skuadrën e Napolit ku i është konfirmuar se do të jetë pjesë e skuadrës së Rudi Garcias të dielën ndaj Empolit, duke anashkaluar kështu ndeshjen e Kosovës ndaj Izraelit.
Edhe Zhegrova pritet të paraqitet me Lillen të dielën ndaj Toulouse, duke harruar kështu ftesën e përzgjedhësit Gliha.
Gjatë kësaj jave Rrahmani e Zhegrova janë paraqitur suksesshëm me skuadrat e tyre në arenën ndërkombëtare. Qendërmbrojtësi i Napolit zhvilloi 90 minuta lojë në Ligën e Kampionëve, ndërsa Zhegrovës i janë besuar 68 minuta në Ligën e Konferencës.
Sikurse Rrahmani e Zhegrova nuk kanë vepruar edhe “yjet” tjerë të kombëtares. Skuadra e Mallorcas është detyruar të bëjë kërkesë për shtyrjen e ndeshjes për shkak të mungesës së Muriqit, ndërsa Besiktas e ka lënë të lirë Rashicën pas dëshirës së tij.
Në listën e Kosovës janë parë emra të rijnë dhe futbollistë nga Superliga e Kosovës. Federata e Futbollit e Kosovës e ka vonuar publikimin e listës së futbollistëve të grumbulluar pikërisht për shkak të mos aprovimit nga futbollistët se kush do të marrë pjesë te Kosova.
Fillimisht ishte thënë se Rrahmani nuk do të paraqitet me Napolin të dielën, por në fund doli ndryshe.
Përpos me Izraelin, Kosova do të përballet edhe me Zvicrën e Bjellorusinë, ndërsa nuk dihet nëse me skuadrën do të bashkohet Rrahmani e Zhegrova.
Kur kanë mbetur edhe tri ndeshje deri në përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian, Kosova ndodhet në pozitën e katërt në Grupin I me vetëm shtatë pikë nga shtatë ndeshje të zhvilluara.