Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm ka denoncuar “situatë alarmante” në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Nëpërmjet një komunikate për media, SHSASHJ kanë numëruar një varg shkeljesh të pretenduara që po ndodhin brenda kësaj ministrie.
Sipas komunikatës së dërguar nga Sindikata për mediet thuhet se në këtë dikaster ka shkelje ligjore, mosrespektim të kritereve për ngritje në gradë dhe në procesin e rotacionit, shkruan Paparaci.com.
Përveç kësaj, SHSASHJ pretendon se MPJD po dërgon diplomatë papërvojë me kohëzgjatje disamuajshe, po bëhen emërime politike e lëvizje të diplomatëve pas disa muajve akreditimi nga një midion në tjetrin.
“Mbajtja e pozitave me ushtrues detyre apo me zëvendësues për më shumë se 20 muaj, mosrespektimi i kritereve për pranim në punë, transferimet pa kurrfarë kriteresh nga resorë të tjerë qeveritarë ne MPJD, transferimet pa asnjë kriter brenda MPJD-së, ulja e pagave të anëtarëve të shërbimit jashtë vendit dhe aplikimi i standardeve të shumëfishta”, janë sipas tyre disa nga shqetësimet e identifikuara.
SHSASHJ ka thënë se kanë informuar institucionet kryesore të vendit për këtë çështje por nuk kanë gjetur mirëkuptim, madje, kanë hasur “në vesh të shurdhër” sipas tyre.
“Veprimet brenda MPJD-së, mungesa e llogaridhënies dhe transparencës, janë poashtu në kundërshtim të plotë edhe me parimet e Administratës Publike të zhvilluara nga SIGMA”.
SHSASHJ ka thënë se në mungesë të mundësisë për adresimin e çështjeve brenda institucionit është dashur që nëpërmjet komunikatës të informohet opinioni për siç shprehen ata “situatë alarmante” në MPJD. /Paparaci.com/