Të fundit

Netanyahu refuzon thirrjet për armëpushim

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar thirrjet e ndërkombëtarëve për armëpushim, duke thënë se beteja e Izraelit me militantët e Hamasit do të vazhdojë “me forcën e plotë”, raporton agjencia “AP”.

Ai ka thënë se një armëpushim do të jetë i mundur vetëm nëse lirohen të gjitha 239 pengjet që mbahen në Gaza nga militantët e Hamasit.

Netanyahu i ka thënë këto në një adresim televiziv të shtunën, ndërsa ka insistuar se pas luftës, që tash është futur në javën e gjashtë, Gaza do të jetë zonë e demilitarizuar dhe Izraeli do ta mbajë kontrollin e sigurisë mbi të.

I pyetur se çfarë mendon me kontroll të sigurisë, Netanyahu ka thënë se forcat e Izraelit do të mund të futen lirshëm në Gaza dhe të përndjekin militantët.

Ai po ashtu ka refuzuar idenë që Autoriteti palestinez, që administron zonat autonome në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli, do të ketë në një fazë kontroll mbi Gazën.

Pozicioni i Netenyahut është në kundërshtim me atë të SHBA-së. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, kishte thënë se SHBA-ja kundërshton riokupimin e Gazës nga Izraeli dhe se e sheh si zgjidhje një qeveri palestineze në Gaza e Bregun Perëndimor si hap drejt një shteti palestinez.

Netanyahu ka insistuar se “lufta kundër Hamasit po shkon me forcën e plotë dhe është vetëm një synim, fitorja”.

“Nuk ka alternativë tjetër”, ka thënë Netanyahu.

Presioni ndaj Izraelit është rritur pasi mjekët në spitalin më të madh në Gaza kanë thënë se gjeneratori i fundit ka mbetur pa naftë, duke shkaktuar vdekjen e një foshnje të lindur para kohe, të një fëmije tjetër dhe të katër pacientëve që ishin të shtrirë.

Në ditët e fundit, luftimet në afërsi të spitalit Al-Shifa dhe spitaleve tjera në veri të Gazës, janë intensifikuar dhe furnizimet kanë mbaruar.

Ushtria e Izraelit ka pretenduar, pa dhënë dëshmi, se Hamasi ka vendosur poste në dhe përfundi spitaleve, duke përdorur njerëzit si mburoja civile.

Stafi mjekësor në Al-Shifa e ka mohuar këtë dhe ka akuzuar Izraelin se po i lëndon civilët.

“Pajisjet mjekësore kanë ndaluar. Pacientët, veçanërisht ata në kujdesin intensiv, kanë filluar të vdesin”, ka thënë drejtori i spitalit Mohammed Abu Selmia.

Organizata Botërore e Shëndetësisë më vonë ka shkruar se kanë humbur kontaktin me spitalin Al-Shifa.

Ushtria e Izraelit ka konfirmuar luftimet jashtë spitalit, por zëdhënësi Daniel Hagari ka mohuar se Al-Shifa është nën rrethim. Ai ka thënë se trupat izraelite do të asistojnë në evakuimin e foshnjave nga atje dhe se “janë në kontakt direkt me stafin e spitalit”.

Ministria e Shëndetësisë e Hamasit ka thënë se gjashtë pacientë kanë vdekur pasi u ndalën gjeneratorët, dy prej tyre fëmijë.

Autoritetet e Izraelit ndërkohë e kanë paralajmëruar Hezbollahun kundër përshkallëzimit.

“Çdo luftë do të vendosë fatin e Libanit”, ka thënë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Video nga Paradoks

“Jemi dëshmitarë të fenomenit të eskortave”: Kirurgu plastik pyetet për operacionet plastike te vajzat shqiptare, flet mbi arsyet

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci