Policia e stacionit në Shtërpcë, veç aktiviteteve rutinë dhe atyre të planifikuara, bazuar në planin aktiv “Mbrojta e Pyjeve”, mbrëmë rreth orës 23:00 në Brod të Shtërpcës ka ndaluar një automjet furgon që po transportonte ilegalisht drurë nga Malet e Sharrit.
Policia i ka marrë veprimet e nevojshme, ka konfiskuar furgonin për dokumentacion të parregullt, ndërsa ka njoftuar edhe zyrtarët e Parkut Kombëtar “Sharri”, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë shqiptuar fletëparaqitje ndaj personit për transport ilegal, ndërsa kanë konfiskuar edhe sasinë e drurëve.
Policia fton qytetarët për bashkëpunim, nëse kanë informacione rreth prerjes, transportit apo shitjes ilegale të drurëve, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë: 192,0290/326-250 & 0290/322-406, policia do të reagojë menjëherë dhe do të koordinojë aktivitetet me rojet e pyjeve. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë, thuhet në komunikatë.