Të fundit

Mali i Zi nuk jep informacione të vërteta për pasurinë e rusëve të sanksionuar

Për vite me radhë, Mali i Zi – në veçanti bregdeti i tij – ka tërhequr rusë të interesuar që një pjesë të pasurisë së tyre, ta investonin në patundshmëri.

Mbështetja e Malit të Zi për sanksionet perëndimore kundër Rusisë – për shkak të luftës në Ukrainë – nuk duket se i ka penguar ata që të vazhdojnë të blejnë apartamente, vila e ndërtesa të tjera në këtë vend.

Sipas të dhënave të vitit 2022 nga Administrata e Regjistrimit të Tokave, shtetasit rusë zotërojnë rreth 19.000 prona në Mal të Zi.

Ata përfshijnë edhe oligarkun Oleg Deripaska, i cili është sanksionuar nga Perëndimi.

Në shumicën e rasteve, përcaktimi i pronarëve të vërtetë është proces i ndërlikuar, pasi shumë nga asetet mund të jenë në emër të familjarëve ose kompanive, siç është edhe rasti i Deripaskës.

Sido që të jetë, në qershor të vitit 2022, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Fillip Axhiq, është mburrur me, siç ka thënë, goditjen e shtetasve të sanksionuar rusë, që mbanin prona në Mal të Zi.

“Për 44 prona, Administrata e Regjistrimit të Tokave nxori vendime që kufizojnë disponimin e pronës në Mal të Zi. Ai zbatohet për 34 shtetas rusë që janë të sanksionuar”, ka thënë Axhiq në atë kohë.

Ky sukses i supozuar është përfshirë në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Malin e Zi, i cili është lëshuar katër muaj më vonë.

Megjithatë, entuziazmi i shprehur nuk ka qenë i justifikuar.

Pas qasjes në dokumente zyrtare dhe analizimit të tyre, Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë mësoi se në vend të 34, prona në Mal të Zi i është ngrirë vetëm një shtetasi rus, të sanksionuar nga BE-ja.

Tridhjetë e tre të tjerët nuk janë në asnjë listë sanksionesh, por ka rastisur që t’i kenë emrat dhe mbiemrat e atyre që janë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Administrata e Regjistrimit të Tokave në Mal të Zi tha se bëhet fjalë për një gabim të paqëllimshëm, kryesisht “për shkak të konfuzionit fillestar dhe informacioneve jo të plota”.

Ministria e Brendshme e Malit të Zi nuk iu përgjigj kërkesave të REL-it për koment.

Administrata e Regjistrimit të Tokave tha në deklaratë se ka ekzaminuar gjithë listën e shtetasve rusë, të cilët, në atë kohë, kanë qenë të sanksionuar nga BE-ja, duke kërkuar përputhje të mundshme me rusët që zotëronin pasuri në Mal të Zi.

Në këtë kërkim u gjetën 34 persona, emrat dhe mbiemrat e të cilëve përputheshin me ata në listën e zezë të BE-së.

“U morën vendime… për të ngrirë qasjen në pronat [në Mal të Zi] për shkak të rrezikut të vlerësuar se asetet në fjalë, mund të shiten ose të përdoren si kolateral për të siguruar kredi bankare”, tha Administrata e Regjistrimit të Tokave.

Ines Mërdoviq, aktiviste e Aksionit për të Drejtat Sociale – një OJQ malazeze që mbron qeverisjen e mirë – fajëson institucionet për gabimin.

“Është thjesht gabim t’i ofrohen BE-së informacione që nuk e pasqyrojnë situatën në terren”, thotë Mërdoviq për Radion Evropa e Lirë.

Identiteti i shtetasit rus, pasuritë e të cilit janë ngrirë vërtet në Mal të Zi, nuk është bërë kurrë publik.

Megjithatë, dokumentet zyrtare që pa REL-i, tregojnë se ka gjasa të bëhet fjalë për Marat Bashirovin, një strateg politik rus. Ai është udhëheqës i lartë në rajonin e Luhanskut të Ukrainës, i cili është pjesërisht i pushtuar nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Bashirov ka një apartament prej 33 metrash katrorë në Beçiqi të Malit të Zi. Ai është, gjithashtu, bashkëpronar i një depoje në të njëjtën ndërtesë.

Zyrtarët malazezë e trajtuan shkel e shko çështjen, thotë Mërdoviq, duke vepruar, sipas saj, në një mënyrë që nuk ishte mjaft transparente as për qytetarët e Malit të Zi, as për partnerët evropianë.

“Ne futemi në situata ku dikush e thotë një gjë dhe një tjetër thotë diçka tjetër. Dhe, pastaj, pyet veten se cila është në fakt e vërteta… Në secilin rast, është e tmerrshme që partnerëve tanë evropianë nuk u jepet informacion i plotë dhe i saktë”, thotë Mërdoviq.

Drejtimi kah Perëndimi

Mali i Zi i ka forcuar lidhjet me Perëndimin në vitet e fundit, duke u anëtarësuar në NATO në vitin 2017 dhe duke aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2008.

Drejtimi i vendit kah Perëndimi ka acaruar Rusinë – aleatin e tij tradicional.

Në vitin 2016, Qeveria pro-perëndimore e Malit të Zi ka akuzuar forcat e mbështetura nga Rusia për një përpjekje për grusht shtet, në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Në tetor, Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Malin e Zi, duke përshëndetur respektimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, por duke shprehur edhe shqetësim për numrin e madh të qytetarëve rusë – në mesin e tyre shumë oligarkë – të vendosur në Mal të Zi.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve malazeze të sigurojnë që vendi nuk bëhet qendër për kompanitë dhe individët që duan t’i anashkalojnë sanksionet”, thuhet në këtë rezolutë.

Në një vizitë në Podgoricë më 31 tetor, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, kërkoi nga Mali i Zi që ta çojë përpara procesin e tij të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Mali i Zi ka qenë për një kohë të gjatë vendi më i përparuar i Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së dhe jam e lumtur të shoh vendosmërinë tuaj për ta mbajtur këtë pozitë”, tha von der Leyen pas takimit me presidentin malazez, Jakov Millatoviq.

Malit të Zi i është dhënë statusi i vendit kandidatit për në BE në vitin 2010, por ai ka mbyllur vetëm tre nga 33 kapitujt e pranimit, që kanë të bëjnë me harmonizimin e ligjeve me ato të BE-së.

Delegacioni i BE-së në Podgoricë nuk iu përgjigj kërkesave të Radios Evropa e Lirë për komente në këtë temë./rel

Video nga Paradoks

"Prej jashti s'keni pa": Fisnik Ismaili flet për Shpend Ahmetin e Përparim Ramën - "Goditjet i kanë ardhë nga VV"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci