Ismet Munishi ka thënë se është ndjerë i nënçmuar nga klubi i Lirisë, disa ditë pasi dështuan negociatat për emërimin e tij në krye të stafit teknik të skuadrës prizrenase.
Në një deklaratë për T7 të dielën, Munishi u shpreh se negociatat dështuan pas deklaratës së klubit të Lirisë për bisedimet me “tre-katër trajnerë”.
Ai tha nuk mund të nënçmohet në një mënyrë të tillë. Deklaratën e klubit të Lirisë, ai e krahasoi me martesën mes dy njerëzve.
“Ka qenë dëshirë e madhe e Arpagjikëve, tifozëve, që unë të shkoj atje. Është privilegj shumë i madh sepse tifozët duan klubin. Nëse tifozët të vlerësojnë është një kompliment shumë i madh. Kam komuniku me presidentin e klubit, me Valonin, kemi diskutu disa herë, jemi taku, unë i kam dhënë ato idetë e mia sesi duhet të dilet nga kjo situatë. Kam pasë shumë telefonata, mesazhe, nga tifozët dhe e kam parë dëshirën e tyre të zjarrtë. Edhe isha me një mikun tim dhe më thërret një telefonatë nga një gazetar, më tha ‘a po shkojmë në Prizren?’. I thash ‘po more po shkojmë’. Tash këta dalin me komunikatë, me amatorizëm total. Kqyre tash nuk mund të dalësh me komunikatë ku thuhet jemi në bisedime me tre-katër trajnerë të tjerë. Nuk mund të martohesh ti edhe me i thënë gruas tënde ‘jam në bisedime me tri-katër gra’. Unë kur jam martu, gruas time i kam thënë të du shumë, je e vetmja për mu. Qysh ti pretendon me marrë një trajner dhe në start me nënçmu me thënë ‘jemi duke fol edhe me dy-tre veta tjerë’”, ka shpjeguar ai.
“Unë prej principit nuk ju shkruaj presidentëve të klubeve. Unë jam Ismet Munishi, baba, ndaçi me më marrë, më merrni”, tha ai.