Dhunë, dhunë, dhunë.
Ky ishte termi më i shpeshtë që e kishte përdorur Dimal Basha në një nga emisionet e tij televizive disa vite më parë për të përshkruar veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje në opozitë.
Në një nga emisionet e tij, në kohën kur ishte moderator, tash deputeti Dimal Basha shprehej tejmase i shqetësuar me atë që e cilësonte “dhunë të Vetëvendosjes”.
Ai fliste për dhunën ndaj policisë, institucioneve, civilëve dhe pushtetarëve të kohës.
“Unë mendoj që kjo ka fillu për shkak të një kulture të keqe që është kriju brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo kulturë e keqe që është mbjell tash e sa kohë, duke filluar nga protestat në rrugë, por pastaj me përdorimin e dhunës në rrugë. Pastaj kjo dhunë kaloi nëpër institucione, siç e dimë të gjithë, pastaj kemi pasur dhunë ndaj njerëzve civilë në rrugë, kemi pasur dhunë ndaj policisë, dhunë ndaj vet institucioneve dhe gjithashtu kemi pasur dhunë edhe ndaj pushtetarëve, duke filluar nga ish-kryeministri Mustafa i cili është sulmuar në Kuvendin e Kosovës dhe gjithashtu e kemi pasur edhe dhunën ndaj ambasadores”, shprehej Basha.
Këtë video, deputeti që tash është një nga mbrojtësit më të zellshëm të pushtetit aktual, të cilin e përfaqëson në kuvend, nuk do donte ta shihte më.
Por, ajo ekziston ende në rrjet dhe, të hënën është publikuar sërish në rrjetet sociale nga gazetari Vehbi Kajtazi.
“Po provoja te mblidhja te gjitha aktet e dhunës së Vetëvendosjes, në kundërshtim të Zajednicës. Nuk arrita ta bëj kaq bukur sa miku im, Dimal Basha i cili pati bërë një rezyme të shkëlqyer rreth kësaj teme”, shkroi Kajtazi në përshkrimin e videos.