Të fundit

Kryediplomatët evropianë takohen me homologët nga Ballkani Perëndimor

Ministrat e Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën, më 13 nëntor, në Bruksel me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor, për të diskutuar për një sërë temash me interes të përbashkët.

Ky është takim tradicional dhe atij do t’i prijë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Sipas paralajmërimeve nga BE-ja, temat kryesore do të jenë situata e sigurisë në rajon dhe më gjerë dhe bashkëpunimi mes bllokut dhe vendeve të rajonit në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.

Gjatë arritjes në takim, Borrell tha se takimi i ministrave të Jashtëm me ata të Ballkanit Perëndimor, dëshmon se sa i rëndësishëm është ky rajon për bllokun.

“Do të diskutohen edhe propozimet e Komisionit Evropian nga paketa e zgjerimit dhe do të insistohet në afrimin më të madh në fushën e politikës së jashtme, pasi disa vende nuk po dëshmojnë përshtatje me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet”, tha ai.

Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, tha se zgjerimi i BE-së është një çështje kyçe gjeopolitike për stabilitetin dhe paqen dhe kjo është posaçërisht e rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse sipas saj, nuk duhet të ketë zona të zymta në sigurinë në Evropë.

“Jam shumë e lumtur që ministrat e Jashtëm të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor janë këtu me ne përsëri për të shkëmbyer ide. Në konferencën e Berlinit ne tashmë e kemi bërë të qartë se zgjerimi është jo vetëm çështje gjeopolitike, por po ashtu e forcon edhe BE-në, se zgjerimi mund ta bëjë më të fortë nga brenda, sidomos kur është fjala për reformat. Prandaj, është e rëndësishme që partnerët nga rajoni t’i përfshijmë edhe në çështjet që lidhen me të ardhmen e Evropës, e jo vetëm t’i dëgjojmë një herë në vit”, tha ajo.

Takimi zhvillohet disa ditë pasi Komisioni Evropian miratoi dhe publikoi paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit. Në to vlerësohet bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve të shteteve të rajonit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, me përjashtim të Serbisë dhe në një masë edhe të Bosnje e Hercegovinës, pasi këto dy vende kanë nivel më të ulët të përshtatjes me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme.

Shtetet e tjera, sikurse Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë një përshtatje pothuajse të plotë me qëndrimet e BE-së, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Edhe pse Kosova nuk ka obligim formal, ajo po ashtu i ka mbështetur qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë. Kjo gjë është vlerësuar nga BE-ja.

Në prag të takimit të sotëm të ministrave të Jashtëm të BE-së me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor, disa vende të BE-së kanë dërguar së bashku një “non-paper”, përmes së cilit kërkojnë thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme para se këto shtete të bëhen anëtare të bllokut evropian.

Këtë letër e kanë nënshkruar Austria, Kroacia, Republika Çeke, Italia, Greqia, Sllovenia dhe Sllovakia. Këto shtete kanë propozuar që ministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor të ftohen më shpesh në takime me kolegët e tyre nga BE-ja, përfshirë edhe në takime joformale dy herë në vit. Po ashtu, ata kanë propozuar edhe pjesëmarrjen e kohëpaskohshme të përfaqësuesve të shteteve të rajonit në takimet e Komitetit për siguri dhe politikë të BE-së.

Në kohën kur rrisin bashkëpunimin me shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga BE-ja kërkojnë që edhe brenda rajonit të ketë një bashkëpunim të madh dhe zgjidhje përmes dialogut dhe bashkëpunimit të problemeve që këto shtete kanë mes tyre. Kjo veçmas vlen për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas diplomatëve të BE-së, marrëdhëniet jo të mira mes këtyre dy shteteve e rëndojnë edhe situatën në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Para se të takohen me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor, ministrat e Jashtëm të BE-së do të zhvillojnë një takim në Këshillin e Punëve të Jashtme, ku temë kryesore do të jetë konflikti Izrael-Hamas dhe situata humanitare në Rripin e Gazës. Lufta atje ka nisur më 7 tetor, pasi Hamasi – që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuar dhe BE-ja – nisi sulme në jug të Izraelit./rel

Video nga Paradoks

Intervistë ekskluzive: Valdet Zekaj rrëfen në detaje ngjarjen e Kumanovës

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci