Partia Socialdemokrate ka zhvilluar të hënën një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke zëvendësuar flamurin e Kosovës me një improvizim të një flamuri me dy yje dhe ku komunat me shumicë serbe theksohen me ngjyrë të bardh në hartën e territorit të vendit. Sipas tyre, kjo dëshmon zhbërjen e pavarësisë së Kosovës me pranimin e draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj para mediave tha se pas pranimit të draftit të Asociacionit zhduket barazia ndërmjet qytetarëve që kanë qenë të shprehura përmes yjeve më simbolet e shtetit.
Molliqaj: Drafti i Asociacionit i pranuar nga Kurti e zhbën pavarësinë e Kosovës
“Drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe presidenti i Serbisë në thelb e zhbën Republikën e 17 shkurtit të shpallur si shtet të pavarur, qytetarë dhe multietnik. Nga sot jo vetëm që e zhbën Republikën e si koncept, ku qytetarët janë të barabartë pa dallim etnie dhe kombësie, tani zhduket barazia mes qytetarëve të cilat kanë qenë të shprehura në simbolet e shtetit të Kosovës, përmes yjeve. Secili yje ka përfaqësuar një etni në këtë shtet të themeluar së bashku”, tha ai.
Sipas tij, flamuri i Kosovës më nuk mund të jetë i njëjtë, pasi tani ka vetëm dy yje që përfaqësojnë shqiptarët dhe serbët.
Ai tha se përmes draftit të Asociacionit janë vizatuar edhe kufijtë e brendshëm të vendit.
Molliqaj: Flamuri i Kosovës nuk mund të jetë i njëjtë
“Nga sot as flamuri i Kosovës nuk mund të jetë i njëjtë. Ai duhet të paraqet një realitet të hidhur dhe të dëmshëm për Kosovën dhe të reduktohet siç edhe patë në ngritjen e ri të flamurit që e përfaqëson atë që kryeministri i Kosovës që e ka pranuar. Ajo është ndarja në thelb në etni, atë serbe dhe shqiptare. Nga sot flamuri i Kosovës ka vetëm dy yje që përfaqësojnë vetëm dy etni dhe përfaqësojnë thelbin e fillimit të konfliktit të vazhdueshëm që do të kemi ndërmjet veti. Përmes këtij drafti na janë vizatuar edhe kufijtë e brendshëm…Nëse e keni pa në njërën nga nenet e draftit të statutit të Asociacionit, kufijtë e tij janë kufijtë e komunave anëtare në Asociacion, siç janë të paraqitura në hartën e Kosovës. Ajo tash nuk është një ngjyrëshe por është dyngjyrëshe siç paraqet vet drafti dhe organizimi i saj. Kemi themeluar një konfederatë të brendshme ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”, shtoi Molliqaj.
Molliqaj paralajmëroi përshkallëzim të aksioneve të PSD-së në kundërshtim të këtij drafti të Asociacioni.
Molliqaj: Aksionet tona do të përshkallëzohen dhe intensifikohen
“Aksionet tona do të përshkallëzohen dhe intensifikohen. Patjetër që do të kemi protesta dhe kundërshtime të fuqishme pasi besoj që ka ndodhur një ndryshim. Në fjalët tona të vazhdueshme kanë menduar që është çështje inati kur kemi treguar se po shkojmë drejt autonomisë apo shpërbërjes së Republikës në Kosovë”, përfundoi Molliqaj.
Pas përfundimit të aksionit pati një përplasje por pa eskaluar ndërmjet Policisë së Kosovës dhe anëtarëve të PSD-së, ku këta të fundit refuzuan t’i dorëzojnë flamujt e Kosovës të cilët i hoqën nga shtiza tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.