Kritika të shumta ka marrë mesfushori me prejardhje shqiptare, Ardon Jashari, pas refuzimit të Kombëtares së Zvicrës U-21.
Ish-trajneri i kombëtares zvicerane, Rolf Fringer e ka quajtur “arrogant, fyese dhe mosrespektues”, mesfushorin 21-vjeçar pas refuzimit për grumbullim me kombëtaren.
Fringer madje tha se nëse Jashari vërtet nuk dëshiron të luajë për U21, nuk duhet të ftohet më në kombëtaren e seniorëve.
Kritika të shumta drejt Jasharit janë hedhur edhe nga analistë e trajnerë të njohur zviceranë, ndërsa drejtori i kombëtares, Pierluigi Tami nuk ka pranuar të deklarohet pa u sqaruar me futbollistin.
“U-21 është një ekip i rëndësishëm për të gjithë Zvicrën dhe për mua, identifikimi me kombëtaren nuk ka kategori moshe. Për të qenë i zhgënjyer, së pari duhet të zbuloj arsyet e sakta të anulimit. Pas këtij takimi do të doja të bisedoja me Jasharin dhe rrethin e tij për arsyet që çuan në këtë anulim”, ka deklaruar drejtori i kombëtares zvicerane, Pierluigi Tami.
Vetë futbollisti që ishte pjesë e skuadrës së tij Luzern këtë fundjavë, nuk ka pranuar të deklarohet për media.
Jashari kishte refuzuar grumbullimin me Kombëtaren U-21, pas publikimit të listës nga Murat Yakin te Kombëtarja A, ku Jashari nuk ishte përfshirë. Ndodhej vetëm pjesë e listës rezervë.
Mesfushori 21-vjeçar ka gjithsej tri paraqitje me Kombëtaren A, ndërsa ka qenë pjesë e U-21 për shtatë herë.
Zvicra do të përballet me Kosovën më 18 nëntor, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian.