Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “Serbia është gjithmonë e gatshme për dialog” dhe “për të respektuar gjithçka që është nënshkruar dhe është rënë dakord”, në një takim që ka pasur me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Deklarata e Vuçiqit bie ndesh me qëndrimet e tij të para pak ditëve e javëve se Serbia nuk e pranon Kosovën dhe nuk lejon pranimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, edhe pse njohja de-facto iu kërkua nga liderët evropianë e se në Marrëveshjen bazë Serbia pajtohet të mos pengojë rrugën e Kosovës në pranimin ndërkombëtar.
Sipas njoftimit nga Presidenca e Serbisë, Vuçiqi ka thënë se “Serbia është e vendosur për shtensionim, paqe dhe stabilitet”. Vuçiq po ashtu ka “informuar në detaje përfaqësuesin special të BE-së për situatën me të cilën ballafaqohen serbët, si në veri ashtu edhe në jug të Ibrit”.
Në këtë takim, sipas njoftimit, Vuçiqi ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Diplomati evropian në Beograd ka qëndruar të martën, dy ditë para takimit të paralajmëruar të kryenegociatorëve në Bruksel.
Në fund të tetorit, pesë përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, dorëzuan në Kosovë dhe Serbi një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në takimet pasuese me liderët evropianë, kryeministri Albin Kurti kërkoi nënshkrimin e draftit si pjesë të pakos me Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin e zbatimit. Serbia refuzoi nënshkrimin.
Pas takimeve, liderët evropianë kërkuan që Kosova të nisë me themelimin e Asociacionit e nga Serbia jetësimin e njohjes de-facto.