Në një vendim kundërthënës, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka hedhur si të jashtë afatshme ankesën e kompanisë ‘Professional Alarm L.L.C.’ kundër tenderit të Komunës së Prishtinës për vendosjen e kamerave në kryeqytet, duke shpërfillur raportin e ekspertizës.
OShP-ja i ka dhënë leje Komunës së Prishtinës që të vazhdojë me procedurat e tenderit të vlefshëm 1.35 milion euro, ndaj të cilin janë ngritur dyshime për kurdisje.
Duke shpërfillur raportin e ekspertizës, i cili rekomandonte kthimin e lëndës në rishqyrtim dhe i jepte të drejtë ankesës së kompanisë, paneli i OShP-së ka vendosur të hënën që ta shpall si të jashtë afatshme ankesën.
“Hedhet si jashtëafatshme, ankesa e OE ‘Professional Alarm’ L.L.C me nr. të protokollit 2023/0732, e datës 26/09/2023, ankesë kjo e parashtruar për aktivitetin e prokurimit “Vendosja e kamerave ne Kryeqytet”, me numër të prokurimit 616-23-8456-2-1-1, inicuar nga autoriteti kontraktues (AK) – Komuna e Prishtinës”, thuhet në vendimin e panelit të OSHP-së, me kryetar Vedat Poterqoin.
“I lejohet, autoritetit kontraktues – Komuna e Prishtinës që të vazhdojë më tutje me aktivitetin e prokurimit ‘Vendosja e kamerave ne Kryeqytet’”, thuhet në vendim.
Në arsyetimin e vendimit, OSHP-ja konstaton se Komuna e Prishtinës ka pasur të drejtë t’i refuzojë si të jashtë afatshme kërkesat për rishqyrtim të kompanive ankuese.
“Sipas nenit 5 paragrafit 1 të LPP përcaktohet se ‘Afatet kohore të këtij ligji duhet të fillojnë në një ditë pune dhe të përfundojnë në një ditë pune. Afati kohor i shkon deri në 16:00 në ditën e skadimit’. Duke pasur parasysh këtë sqarim, paneli shqyrtues në konsistencë edhe me vendimet tjera konstaton se kërkesa për rishqyrtim e ankuesit është jashtë-afatshme, dhe si e tillë”, thuhet në vendim.
Krejt ky proces po vazhdon të përcillet me hije dyshimi. Ngjashëm sikurse ky vendim i OSHP-së, në kundërthënie me raportin e ekspertizës së përgatitur nga një ekspert i OSHP-së.
Sipas ekspertizës, të publikuar më 10 tetor të këtij viti, Komuna e Prishtinës ka kryer shkelje administrative me refuzimin e kërkesave për rishqyrtim në tenderin me vlerë të parashikuar mbi një milion euro.
Ekspertiza e OSHP-së ka konstatuar se Zyra e Prokurimit të Komunës së Prishtinës i ka hedhur poshtë ankesat kundër Dosjes së Tenderit në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret në fuqi të prokurimit publik.
Tenderi për projektin e vendosjes së kamerave në kryeqytet dyshohet të jetë i kurdisur, me kriteret e Dosjes së Tenderit që dyshohet se i janë përshtatur një kompanie, ka raportuar Paparaci disa javë më parë.
Ekspertja e OSHP-së i ka rekomanduar panelit që ta shpallë si të pranueshme ankesën e kompanisë ‘Professional Alarm L.L.C.’ kundër tenderit dhe që ta kthejë atë në rishqyrtim te Zyra e Prokurimit në Komunën e Prishtinës.
“Duke u bazuar në LPP, RRPP dhe Interpretimin e KRPP, eksperti shqyrtues sqaron se AK ka bërë shkelje kur i ka refuzuar kërkesat për rishqyrtim si të jashtëafatshme dhe nuk i ka trajtuar fare pretendimet e ngritura. Pra, dorëzimi i kërkesës për rishqyrtim me datën 20/09/2023, pas orës 16 llogaritet se është dorëzuar me datën 21/09/2023 e cila është edhe dita e fundit për dorëzimin e kërkesave, që është shumë në rregull dhe brenda afatit”, thuhej në raportin e ekspertizës së OSHP-së.
“Duke u bazuar në atë çfarë sqaruam më lartë, eksperti shqyrtues rekomandon se lënda duhet të kthehet në rishqyrtim dhe sipas LPP-së, AK duhet të jap përgjigje në të gjitha pretendimet e kërkesës për rishqyrtim të ngritura nga OE ankues, brenda afatit të paraparë ligjor”, thuhej në raport.
Në fundit të shtatorit të këtij viti, Komuna e Prishtinës e ka pezulluar këtë tender për shkak të kontestimit të lëndës në OSHP. Aty janë ngritur dyshime se tenderi i parashikuar në vlerë prej 1,350,000.00 euro është i kurdisur.
Në ankesën e parashtruar pranë OSHP-së, “Professional Alarm L.L.C”, një kompani private me bazë në Prishtinë, ka paraqitur dëshmi për dyshimet e përshtatjes së kritereve të tenderit për një operator ekonomik.
Kriteret i janë përshtatur prodhuesit kanadez të kamerave, “AVIGILON”.
Sipas Dosjes së Tenderit, produktet e kërkuara nga Komuna e Prishtinës përmes këtij tenderi “i përshtaten një prodhuesi dhe është e pamundur që këto specifika të plotësohen nga prodhues të tjerë”.
“Duhet theksuar qe jo vetem pozicionet e cekuar me lartë i janë përshtatur prodhuesit AVIGILON por ka edhe produkete tjera qe i jane pershtatur po te njejti prodhues i cili e eshte nje prodhues i vecant dhe eshte e pamundur qe keto specifika te plotesohen me prodhues tjere dhe kështu ju keni diskriminuar të gjithë prodhuesit tjerë dhe rrjedhimisht edhe OE qe merren me sisteme te sigurisë dhe qe opereojn ne Kosovë”, thuhet në një nga pikat e pretendimeve të ngritura nga ankuesi në OSHP.
Kush është kompania partnere në Kosovë e prodhuesit kanadez “AVIGILON”?
Janë disa. Por, një nga partnerët e “AVIGILON” në Kosovë, e cila dyshohet se është e interesuar të marrë pjesë në këtë tender, është kompania “E-Connect AL Sh.P.K.”, thuhet në ankesën e deponuar në OSHP.
Për shkak të vendosjes së kritereve dhe specifikimeve diskriminuese, kompania ankuese ka kërkuar nga OSHP-ja që ta anulojë procedurën tenderuese të hapur nga Komuna e Prishtinës.
“Me këto kritere siç janë tani mund te jetë i përgjegjshëm vetëm një OE për të cilin ne mendojmë që i është përshtatur ky specifikim teknik dhe ky operator ekonomik është ‘E Connect AL SH.P.K’”, theksohet në ankesë.
“E Connect AL Sh.P.K.” është një kompani me bazë në Prishtinë, bazuar në regjistrin e të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve. E njëjta kompani, tre muaj më parë e ka fituar tenderin për vendosjen e kamerave në qytetin e Fushë-Kosovës. Vlera e projektit në Fushë Kosovë parashikohet të kalojë shumën e mbi 500 mijë eurove.
Dyshime për kurdisjen e tenderit milionësh në Prishtinë, kontestohet në OSHP