Komisioni Qendror Zgjedhor ka mbajtur mbledhjen në të cilën u dhanë disa njoftime të cilat kanë të bëjnë me monitorimin e Kuvendit Zgjedhor të partisë politike Lista Serbe, takimin me zëvendës presidentin e IRI-së, takimin me përfaqësues të Komisionit të Pavarur për Media në Republikën e Kosovës dhe disa të tjera.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, Besnik Buzhala bëri të ditur se pas monitorimit të Kuvendit Zgjedhor të Listës Serbe, i cili është mbajtur me 24 tetor 2023, rezulton se zgjedhja e kryetarit, kryesisë dhe nënkryetarëve është në përputhje me Rregulloren për Regjistrimin dhe Funksionimin e Partive Politike dhe statutin e kësaj partie.
Buzhala: Kuvendi Zgjedhor Listës Serbe ishte konform rregullave
“Me datën 24 tetor 2023 zyra ka vëzhguar Kuvendin zgjedhor të Partisë Politike të regjistruar Lista Serbe. Ky kuvend zgjedhor është mbajtur në Komunën e Mitrovicës së Veriut. Në këtë kuvend zgjedhor në votim të fshehtë 29 anëtarët e kuvendit kanë zgjedhur kryetarin e partisë politike, anëtarët e kryesisë dhe nënkryetar. Sipas rregullores numër 1/2023, partia politike me datë 30 tetor ka sjellë të gjithë dokumentacionin përcjellës, i cili ka qenë pjesë e këtij kuvendi zgjedhor. Pas procesit të vëzhgimit të kuvendit zgjedhor dhe pas shqyrtimit të dokumentacionit që kemi pranuar, zyra konstaton se zgjedhja e kryetarit të partisë, anëtareve të kryesisë dhe nënkryetarëve është në përputhjen me Rregulloren numër 1/2023, Regjistrimi dhe Funksionimi i partive politike dhe po ashtu është në përputhje me statutin e partisë politike”, tha Buzhala.
Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi pyeti nëse janë marrë masa ndaj ish-nënkryetarit të kësaj partie, Millan Radojiçiq. ‘A ka ndonjë masë, sepse aty një anëtarë i tyre, së paku një nënkryetar ka marrë edhe ka deklaruar vetë se ka marrë pjesë në aksione terroriste. A ka ndonjë përjashtim, a ka ndonjë masë’? pyeti Kurteshi.
Lidhur me këtë çështje dhe dy të tjera, Kurteshi mori përgjigje nga Buzhala, derisa ky i fundit tha se gjatë monitorimit të këtij kuvendi ka pasur shumë gazetarë dhe kanë qenë të vendosur në fund të hapësirës, për çka potencoi se kjo ka mundur të pengojë procesin e vëzhgimit.
Kurteshi: A janë marr masa ndaj atyre që kanë qenë pjesë në sulmin terrorist
“Kam shikuar edhe statutin e kësaj partie politike. Sipas nenit 17, 18 , 19 statuti i kësaj partie flitet për përgjegjësinë e anëtarëve të kryesisë, të partisë apo udhëheqjes, edhe a ka ndonjë masë, sepse aty një anëtar i tyre, së paku një nënkryetar ka marrë edhe ka deklaruar vetë se ka marrë pjesë në aksione terroriste. A ka ndonjë përjashtim, a ka ndonjë masë? Ne emrin e dimë ama nuk po dua t’ia përmend. A e ka shkarkuar ndonjë anëtarë, për shkak të veprimeve që janë kundër kushtetutës dhe ligjit. Çështja tjetër është se kryetari i partisë thotë zgjidhet sipas rregullit me votim të fshehtë, mandej thotë se kuvendi mundet të vendosë që zgjedhja të bëhet me votim të hapur…A kishte ndonjë vendim për të vendosur?…Çështja e tretë që nuk e vërejta në raport, kërkohet një propozim me shkrim për zgjedhje të kryetarit të partisë, a ka pasur propozim me shkrim, apo është vendosur aty për aty? “, tha Kurteshi.
Lidhur me këto pyetje të parashtruara nga Kurteshi, Buzhala potencoi se krejt çka mund të thuhet deri më tani është se procedura është ndjekur në përputhje me Rregulloren numër 1/2023.
Buzhala: Nuk kemi pasur mundësi t’i dëgjojmë të gjitha propozimet
“Ideja është që ka qenë një hapësire që ka pasur shumë gazetarë edhe mbase gjatë monitorimit të Kuvendit nuk kemi pasur mundësi t’i dëgjojmë të gjitha propozimet që janë shtruar aty, për shkak që kemi qenë në fund të hapësirës ku është mbajtur kuvendi. Por, ajo çfarë mund të them është që procedura që është ndjekur është në përputhje me Rregulloren numër 1/2023…Për këtë çështjen e fundit të propozimit me shkrim nuk është që ne e kemi vërejtur që është paraqitur atë ditë në mbajtjen e kuvendit”, potencoi Buzhala.
Ndër të tjera, në këtë mbledhje u diskutua për shqyrtimin dhe miratimin e Raportit Financiar për periudhën janar-shtator 2023, për Raportin e kontratave të nënshkruara për periudhën janar – shtator 2023 si dhe shqyrtimin dhe miratimin e Raportit të derivateve për periudhën janar-shtator 2023.