Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 12 muaj burgim me kusht Granit Halilaj, të akuzuarin për falsifikim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit të vitit 2021.
Gazetari hulumtues, Eros Klaiqi në mars të 2021 pati publikuar përgjimin ekskluziv ku dëshmohej se Meliza Haradinaj-Stublla nuk i kishte votat e mjaftueshme për t’u bërë deputete, raporton Paparaci.
Atë kohë, tashmë i dënuari Granit Halilaj ishte punonjës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ku në marrëveshje paraprake me Përparim Përvetica i falsifikojnë rezultatet e votimit, me qëllim të shtimit të votave për kandidaten Meliza Haradinaj-Stublla nga radhët e AAK-së. Pasi që gjatë numërimit të votave me kusht dhe me postë, i shtojnë 65 vota kandidates për deputete Haradinaj-Stublla.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Halilaj, u bë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga gjykatësi i rastit Vesel Ismaili.
“Trupi gjykues pas përfundimit të seancës së shqyrtimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë konform nenit 358, paragrafit 1 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, në emër të popullit shpall këtë aktgjykim ndaj të akuzuarit Granit Halilaj me shënime personale si në shkresat e lëndës për veprën falsifikim i rezultateve të votimit nga neni 216, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të njëjtin e shpall fajtor dhe e dënon me dënim burg me kohëzgjatje prej 12 muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër penale gjatë periudhës kohore prej 12 muajve të verifikimit”, tha gjykatësi Ismaili.
Klaiqi kishte treguar se bashkëshorti i Meliza Haradinaj-Stublla, Dardan Stublla, kishte blerë me 6 mijë euro katër komisionerë të cilët i kishin dëmtuar dy kandidate tjera dhe e kanë favorizuar Haradinaj-Stublla.
Në videon ekskluzive të publikuar nga Klaiqi, ishte zbuluar se paraja dhe përfshirja e Dardan Stubllës ishin faktorë kyç që Meliza Haradinaj-Stublla atëherë figuronte në mesin e tetë kandidatëve të parë të AAK-së pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Përfshirjen e Dardan Stubllës në manipulimin e rezultateve të kandidatëve të Aleancës për deputetë, e ka zbuluar një video-inicizim i Arbër Krasniqit, një komisioneri në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR).
“Manipulimi me vota ka ndodhur përmes procesit të numërimit aty ku komisionerët kanë qenë të deleguar dhe janë korruptuar nga kandidatja për deputete Meliza Haradinaj-Stublla, që të manipulojnë vota në QNR, por edhe në sistemin ku edhe kalojnë këto votat. Ky video përgjim tregon që Dardan Stublla bashkëshorti i Meliza Haradinaj-Stublla dyshohet se kanë korruptuar 4 komisioner të cilat kanë ndërhyre në QNR për të manipuluar votat në favor të saj”, kishte thënë Klaiqi.
Në këtë rast po akuzohen edhe ish-deputeti Haxhi Shala, Arbër Krasniqi, Sahit Mataj, Përparim Përvetica, Ilirjan Hysenaj dhe Dardan Gashi.
Ndryshe, në seancën e 13 nëntorit 2023 gjykata kishte veçuar procedurën penale ndaj Halilajt dhe Dardan Gashit, pasi që të dy kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë, kurse ndaj Shalës, Krasniqit, Matajt, Përveticës dhe Hysenajt, po vazhdon procesi gjyqësor.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, Arbër Krasniqit, Sahit Matajt, Përparim Përveticës, Ilirjan Hysenajt, Granit Halilajt dhe Dardan Gashit, të cilët akuzohen për falsifikim të rezultateve të votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, përmes falsifikimit iu shtuan vota ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla nga subjekti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidatit për deputet, Haxhi Shala.