Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se drafti i Bashkimit Evropian i dorëzuar nga emisarët më 21 tetor është draft statut pakrahasueshmërisht më i avancuar se marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.
Këtë pretendim Kurti e ka arsyetuar mbi atë që ka të bëjë me çështjet e përmbajtj3es. Ai ka thënë se ka dërguar vërejtjet dhe komentet për kritikat që ka pasur rreth draftit. ”Është e qartë se ai draft statut është pakrahasismisht më i avancuar se siç kanë qenë në 2013 e 2015.
Këtu janë çështjet e përmbajtjes, por unë do të thosha që kryesorja është se ky draft statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh kjo gjë. Pra, së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës e që është shteti demokratik, Republika e Pavarur e Kosovës dhe në anën tjetër, megjithatë, unë kam dërguar vërejtjet, komentet, kritikat e mia për këtë draft me datën 24 tetor, me qenë se natyrisht nuk është një draft i cili do të shkruhej prej meje saktësisht asisoj”, ka thënë Kurti gjatë një interviste për ATV.
Drafti akoma nuk është publik, por së fundmi ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani ka publikuar një draft duke pretenduar se është propozimi i Bashkimit Evropian.