Drafti i propozuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është përgatitur nga ekspertët anglo-saksonë të cilët e kanë plotësuar marrëveshjen nga Brukseli me disa detaje, deklaroi politikania serbe nga Kosova Rada Trajkoviq, e pyetur se si do ta pranojë Kushtetuta e Serbisë Asociacionin dhe si do ta integrojë atë institucionalisht.
Ajo në një intervistë për N1 ka thënë se është interesant që ambasadori amerikan në Kosovës ka thënë se dokumenti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Si do të përshtatet ai asociacion në Kushtetutën e Serbisë, ku janë ekspertët e shtetit serb për të na shpjeguar se çfarë po ndodh me Kushtetutën e Serbisë. Ku është kushtetuta e Serbisë? Në betimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, si do ta pranojë Kushtetuta e Serbisë Asociacionin, si do të integrohet institucionalisht dhe nëse do të integrohet”, pyet Rada Trajkoviq.
Sipas fjalëve të saj, tani kemi aktin e pranimit të disa gjërave që kënaqin shqiptarët.
“Vuçiq pranoi integritetin territorial të Kosovës, tani edhe simbolet kombëtare të Kosovës. Ai pranon gjithçka që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Vuçiq është duke punuar në një dokument që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën dhe në çdo gjendje normale do të duhej t’i bartë pasojat, transmeton Paparaci.
Trajkoviq ka pretenduar se proceset në Kosovë kanë shkuar shumë larg, serbët po legalizojnë atë që lëshon administrata e Kosovës, sepse në të kundërtën nuk do të mund të mbijetonin.
“Nëse ky tashmë është realiteti, a duhet shteti ta pranojë atë që serbët e Kosovës e pranojnë për të mbijetuar”, ka thënë ajo.
Sipas saj, së fundmi janë shpërngulur nga Kosova më shumë se 38 mijë persona dhe ajo gëzohet kur sheh njerëz që presin në radhë për targa sepse do të thotë se duan të qëndrojnë këtu.
Sipas Rada Trajkoviqit, sipas draftit të propozuar, asgjë nuk do të ndryshojë në fushën e shëndetësisë dhe arsimit.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ajo thotë se nuk mendon se njohja de jure do të ndodhë në një të ardhme të afërt dhe as që do të nënshkruhet ndonjë marrëveshje.
Ajo ka vlerësuar se Vuçiq nuk ka çfarë t’i ofrojë shoqërisë serbe përveç dhunës dhe dhuna, thekson ajo, është promovuar në Kosovë.
“Mafia ka metodat dhe kulturën e saj të sjelljes dhe ne nuk mund ta heqim qafe atë kulturë. Për dhjetë vjet, Millan Radojçiqi ishte atje dhe një gjeneratë e tërë u rrit në këtë koncept edukativ”, tha ajo.
Djegia e veturës së nënkryetares së Komunës së Leposaviqit është surprizë shumë e pakëndshme për Rada Trajkoviqin.
Mendova se iniciatori kryesor i kërcënimeve ishte Radoiçiqi, por kjo kulturë e dhunës është më e gjerë e në mesin e serbëve, ka thënë ajo, duke shtuar se jetojmë në një vend ku për fat të keq, disa njerëz të fuqishëm jashtë vendit mbështesin që në këtë mënyrë të funksionojë Serbia./Paparaci.com