Tariq Shehdada, 23-vjeçar me nënshtetësi të dyfishtë jordaneze dhe gjermane, është arrestuar nga njësiti i Policisë së Kosovës “FAST Kosova” të mërkurën në Prishtinë.
Bazuar në një urdhër arrest ndërkombëtar, Shehdada u prangos në një hotel në Prishtinë mëngjesin e të mërkurës, raporton Paparaci.
Paparaci merr vesh nga burime brenda policisë se Shehdada dyshohet për terrorizëm dhe mbi këto dyshime është shpallur në kërkim nga autoritetet gjermane. Në një deklaratë para hetuesve policorë, ai ka thënë se ka planifikuar t’i bashkohej Hamasit.
Policia tha sot se i dyshuari posedonte dy palë dokumente.
“Hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, pas një pune hetimore-operative kanë arritur që në një hotel në Prishtinë të lokalizojë vend-ndodhjen e personit të cilin ishin duke u kërkuar”, tha policia.
“I dyshuari mashkull është arrestuar dhe është gjetur se ai posedon dy palë dokumente (jordaneze e gjermane), por me identitet të ndryshëm, përfshirë moshën në njërin dokument figuronte si 26 vjeçar e në tjetrin 23 vjeçar.”