Të fundit

Ambasada e ShBA-së nuk e komenton draftin e publikuar nga Ramadani

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë nuk ka komentuar draft-statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që ka publikuar së fundi ish-Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani.

Paparaci, të mërkurën ka tentuar të marrë një qëndrim të Ambasadës së SHBA-së për draft-statutin e publikuar nga Ramadani dhe nëse e konfirmojnë se është drafti autentik i ofruar nga pesë emisarët më 21 tetor.

Mirëpo, ata as nuk kanë pohuar as mohuar nëse draft-statuti i publikuar nga ish-shefi i AKI-së është i njëjtë me atë që së fundi i është prezantuar përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës.

“Dëshirojmë që ju të keni vëmendjen në deklaratën e Ambasadorit Hovenier për mediat të enjten e kaluar”, u tha shkurt në përgjigjen e ambasadës amerikane.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier në deklaratën e dhënë për media tha se, draft-statuti i propozuar nga Bashkimit Evropian për Asociacionin nuk ka kompetenca ekzekutive dhe në këto rrethana nuk mund të ketë autonomi.

Po ashtu ai u shpreh se draft-statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ai tha se ekziston vetëm një entitet që do ta thotë fjalën e fundit rreth kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së draftit të Asociacionit dhe se ky entitet është Gjykata Kushtetuese.

Duke folur për afatin e zbatimit të statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, Hovenier tha se ka nevojë për urgjencë.

Ndërsa sa i përket kohës se kur do të publikohet, ai theksoi se “do të dalë në publik në kohën kur të jetë e determinuar nga një kombinim i qeverive dhe Miroslav Lajçak”.

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur draft-statutin e fundit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të pakrahasueshëm me versionet e mëparshme, duke argumentuar që i njëjti e pranon shtetin e Kosovës.

“Më datën 21 tetor erdhi pesëshja e emisarëve, e cila erdhi për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe aty me 24 tetor, unë ua dërgova vërejtjet për atë draft-statut. Është e qartë se ai draft-statut është pakrahasimisht më i avancuar se siç kanë qenë në 2013 e 2015”, ka thënë Kurti.

Ish-inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani pretendon se draft-statuti i publikuar nga ai është i “pesshës së madhe” evopiane për Asociacionin. Ai tha se drafti është pikërisht ai që i është paraqitur kryeministrit Kurti.

Pikat e Draft-Statutit të publikuar nga Burim Ramadani:

-Asociacioni quhet: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë

-Selia e Asociacionit do të jetë në Mitrovicën e Veriut, përpos nëse komunat anëtare vendosin ndryshe pastaj

-Draft-Statuti ka gjithsej 45 nene dhe ndahet në 7 kapituj.

-Asociacioni, i themeluar me këtë Statut, ofron një kornizë vetë-menaxhuese për komunitetin serb të Kosovës brenda nivelit ekzistues komunal të vetëqeverisjes lokale dhe nuk do të fitojë kompetenca ekzekutive shtesë në krahasim me komunat anëtare të saj. Korniza përfshin mbështetjen e ofrimit të shërbimeve të koordinuara në fusha specifike, me mundësinë për mbështetje financiare nga Serbia dhe një kanal efektiv komunikimi i drejtpërdrejtë për komunitetit serb të Kosovës në Qeverinë e Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

-Asociacioni ka personalitet juridik, në përputhje me ligjin në fuqi, dhe kapacitetin juridik të nevojshëm sipas ligjit të Kosovës për të përmbushur objektivat e saj, duke përfshirë të drejtën për të poseduar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, për të pasur kompani në bashkëpronësi që ofrojnë shërbime lokale brenda fushëveprimit të Asociacionit dhe të lidhë kontrata, përfshirë kontratat e punës, si dhe të padisë dhe të paditet.

-Anëtarët e Asociacionit nuk mund të transferojnë pronësinë e pronës së tyre të paluajtshme tek Asociacioni.

-Komunitetet e tjera (joserbe) duhet të përfaqësohen në të gjitha organet e Asociacionit duke reflektuar diversitetin etnik të komunave anëtare.

-Asociacioni do të krijojë simbolet e veta zyrtare, të cilat mund të përbëhen nga një flamur dhe një stemë.

-Në përputhje me ligjin në fuqi, Asociacioni do të ketë të drejtë të bashkëpunojë, brenda fushave të kompetencave të anëtarëve të vet, me komunat dhe institucionet, duke përfshirë agjencitë qeveritare, në Serbi.

-Një bashkëpunim i tillë mund të marrë formën e ofrimit nga institucionet serbe të asistencës financiare dhe teknike, duke përfshirë pajisjet, në zbatimin e kompetencave komunale. Donacionet e mallrave dhe pajisjeve nga Serbia do të përjashtohen nga çdo taksë ose detyrim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

-E gjithë mbështetja financiare ose tjetër e marrë nga Asociacioni do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes dhe auditimit të Autoriteteve Qendrore siç përcaktohet në këtë Statut dhe ligjin në fuqi.

-Asociacioni mund të krijojë marrëdhënie dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me asociacione të tjera vendore dhe ndërkombëtare të komunave, autoriteteve lokale, rajoneve dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes lokale në shtetet tjera.

-Asociacioni do të angazhohet në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb të Kosovës.

-Për të lehtësuar ushtrimin e këtyre kompetencave, organet e Asociacionit kanë të drejtë të miratojnë sa vijon:a) Rregullore.

  1. b) Vendime.
  2. c) Deklarata.
  3. d) Rregulloren e Punës.
  4. e) Udhëzime.

-Asociacioni do të menaxhojë institucionet arsimore dhe shëndetësore, të cilat janë financuar drejtpërdrejt nga Serbia, në përputhje me procedurat specifike të përcaktuara në këtë Statut dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

-“Rrjeti Arsimor Serb i Kosovës” dhe “Rrjeti Shëndetësor Serb i Kosovës” do të themelohen si ofrues privatë të arsimit dhe shëndetësisë nën përgjegjësinë e Asociacionit, duke theksuar Serbinë si kontribuesi financiar, si dhe zyrat kryesore të këtyre ofruesve të vendosur aktualisht në Serbi.

-Asociacioni do të menaxhojë funksionimin e këtyre ofruesve të arsimit dhe shëndetësisë.

-Këto shërbime të lirohen nga doganat dhe të gjitha detyrimet tjera për aq kohë sa ofrojnë shërbime në interes publik dhe në përputhje me këtë Statut.

-Në territorin e anëtarëve të Asociacionit, këta ofrues mund të përdorin objektet publike të krijuara dhe të bashkëfinancuara nga Serbia për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore.

-Këto rrjete gjithashtu mund të autorizohen për të ofruar shërbimet e tyre në territoret e komunave joanëtare.

-“Rrjeti arsimor serb i Kosovës” do të lëshojë diploma të dyfishta. Dizajni i diplomës (diploma e dhënë nga Kosova) e dhënë nga “Rrjeti arsimor serb i Kosovës”, në pajtim me ligjin në fuqi, do të rregullohet me një marrëveshje të veçantë ndërmjet ofruesit dhe autoriteteve kompetente.

-Institucioni themelues në Serbi do të lëshojë një diplomë dublikatë (diplomë serbe). Vendi i lëshimit të diplomës dublikatë është qyteti (Serbia) ku janë selitë kryesore. Qeveria e Kosovës do ta trajtojë diplomën dublikatë si diplomë të huaj të vlefshme.

-Asociacioni financon iniciativat lidhur me arsimin – duke përfshirë bursat, trajnimin e mësuesve, grantet kërkimore, zgjidhjet e TI-së, shkëmbimet akademike, programet verore – për të mirën e avancimit të arsimit midis komunave anëtare.

Asociacioni financon projektet ndërtimore dhe infrastrukturore që kanë të bëjnë me ofrimin e arsimit ndërmjet komunave anëtare të saj, si dhe ofrimin e mbështetjes financiare për mirëmbajtjen e arsimit dhe objekteve të lidhura me to (salla sportive, laboratorë IT, etj.).

Te shëndetësia dhe kujdesi social:

-Asociacioni, krahas dhe në lidhje me përgjegjësitë e përcaktuara në nenin 14 të këtij Statuti, do të ushtrojë funksione dhe mbikëqyrje të plotë (rregullon, organizon, koordinon dhe kryen punët) në kuadër të kompetencave të saj komunale që kanë të bëjnë me përmirësimin lokal të shëndetit primar dhe sekondar dhe kujdesin social.

-Asociacioni do të financojë dhe lehtësojë ngritjen e kapaciteteve dhe trajnimit profesional të personelit mjekësor dhe të mirëqenies sociale të anëtarëve të tij.

-Asociacioni do të financojë projektet e ndërtimit dhe infrastrukturës në lidhje me ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe mirëqenies sociale.

-Asociacioni do të financojë banesa sociale në komunat anëtare.

-Asociacioni do të financojë ose mbledh fonde për mbështetjen e mirëqenies sociale të banorëve të komunave anëtare të saj.

-Asociacioni do të financojë blerjen e pajisjeve të specializuara mjekësore siç mund të jetë e nevojshme nga komunat anëtare dhe ‘Rrjeti serb i kujdesit shëndetësor’.

-Asociacioni, përmes një komisioni të përbashkët me Autoritetet Qendrore, do të lehtësojë pagesën e ndihmës financiare të mirëqenies sociale nga Serbia për përfituesit që banojnë në komunat anëtare.

Te zhvillimi ekonomik, përpos aspekteve tjera, Asociacioni do të përfaqësojë interesat e anëtarëve dhe aktorëve ekonomikë të vendosur brenda kufirit administrativ të Asociacionit në marrëdhëniet me autoritetet qendrore, si dhe me operatorët e tjerë shtetërorë dhe ekonomikë. në rajon dhe më gjerë, duke përfshirë ato nga Serbia.

-Sa i përket planifikimit urban dhe rural, Asociacioni do të ushtrojë funksione dhe mbikëqyrje të plotë (rregullon, organizon, koordinon dhe kryen punët) në kuadër të kompetencave komunale që kanë të bëjnë me planifikimin urban dhe rural.

-Po ashtu, Asociacioni do të ofrojë këshilla ligjore, lëndore dhe kërkimore për Autoritetet Qendrore dhe anëtarët e tyre në lidhje me proceset e shpronësimit brenda kufirit administrativ të Asociacionit.

-Draft Statuti flet edhe për të kthyerit në Kosovë. Asociacioni do të miratojë masa për të mbështetur kthimin e qëndrueshëm të personave të zhvendosur dhe refugjatëve në Kosovë.

-Asociacioni ndër të tjera edhe do të bashkëfinancojë programe të integrimit social-ekonomik për të kthyerit nëpërmjet anëtarëve. Po ashtu, Asociacioni do t’i ofrojë këshilla dhe mbështetje për komunat jo-anëtare në lidhje me politikat dhe masat e tyre lidhur me kthimin.

 

Video nga Paradoks

Nga buron vullneti i Kurtit për ta ndëshku Ali Ahmetin dhe BDI-në? – Ja si përgjigjet deputeti Hasani

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci