Të enjten do të mbahet në Bruksel takimi i radhës në kuadër të dialogut midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Teksa nga pala serbe është theksuar se temë e diskutimit do të jetë draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në Qeveri nuk kanë folur rreth çështjeve që do të nxirren në tryezë të diskutimit.
Sikurse për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në Qeveri nuk janë deklaruar as për çështjet që do të diskutohen në takimin e kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel.
Një ditë para takimit, nga Ekzekutivi nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS mbi agjendën dhe pritjet prej përballjes së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi e kryenegociatorit të Serbisë, Petar Petkoviq. E zyrtarët në Serbi të martën thanë se diskutimi do të zhvillohet për draftin e Asociacionit.
Artan Muhaxheri, analist politik, thotë se bazuar në qëndrimet e shprehura në Kosovë e Serbi, nuk pret që në takimin e së enjten të ketë rezultate konkrete.
“Nuk është se ka indikacione pozitive. Pra, kryeministri i Kosovës disa herë përmendi faktin se pa ardhur njohja de facto nuk mund të ketë avancim në aspektin e Asociacionit, ndërsa edhe pala tjetër është në periudhë parazgjedhore edhe është e pritshme që diskursi të jetë shumë më agresiv në raport me Kosovën, sepse kjo sjell vota”, ka thënë Muhaxheri.
Përmbajtja e draft-statutit të Asociacionit nuk është publikuar nga Qeveria me arsyetimin se është kërkesë e ndërkombëtarëve. Në publik kanë rrjedhur disa fragmente të dokumentit që pretendohet se është ai që Kosovës iu propozua nga pesëshja euro-amerikane, porse ato as nuk u konfirmuan e as nuk u mohuan nga Ekzekutivi, teksa nxitën debat në publik.
Analisti Muhaxhiri thotë se diskutimet mbi çështjen do të mund të anashkaloheshin po qe se drafti do të publikohej nga Qeveria.
“Ende nuk e kuptoj pse nuk publikohet, nuk ka ndonjë fshehtësi të madhe, nuk është ndonjë formulë për bombë atomike. Ideja është çdo gjë është e bazuar në marrëveshjen për normalizim, parimet 2013-2015, konventën ndërkombëtare për të drejtat e pakicave, Kushtetutën e Kosovës. Nuk është një fshehtësi shumë e madhe, dihen orientimet”, ka shtuar ai.
Takimi i së enjtes mes Bislimit e Petkoviqit e pason prezantimin e propozimit të ri evropian, që përveç marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të zbatimit të tij, e përmban edhe draftin e statutit të Asociacionit, përmbajtjen e të cilit kryeministri ka shprehur gatishmëri që ta pranojë.