Komisioni Disiplinor i UEFA-s ka pranuar pjesërisht ankesën e Federatës së Futbollit të Serbisë për dënimin e një ndeshjeje pa praninë e tifozëve.
Në xhiron e fundit të kualifikimeve për Euro 2024, Serbia do të takohet me Bullgarinë më 19 nëntor në Leskovc në stadiumin e Duboçicës dhe kjo ndeshje do të jetë vendimtare për kualifikimin në Evropian.
Në grupin G, Serbia është në vendin e dytë me 13 pikë, ndërsa Mali i Zi i treti ka tetë pikë dhe një ndeshje më pak.
Duke qenë se është realiste të pritet që malazezët të mposhtin lituanezët sot dhe t’i afrohen Serbisë dy pikë para xhiros së fundit, është e qartë se dueli në Leskovc do të jetë vendimtar për Serbinë për kualifikimin në Euro.
Dy javë më parë, UEFA e gjobiti Serbinë për shkak të telasheve të tifozëve dhe një sërë dështimesh organizative në ndeshjen kundër Malit të Zi, duke e dënuar me një ndeshje në shtëpi me tribuna boshe, dhe me gjobë prej 89.500 euro.
Mirëpo, pas ankesës së Federatës së Serbisë, UEFA-s i “erdhi keq” dhe e zvogëloi dënimin.
Me vendimin e ri, tribuna perëndimore e stadiumit të Duboçicës do të jetë e hapur për ndeshjen ndërmjet Serbisë dhe Bullgarisë, ndërsa vetëm fëmijët nën 14 vjeç do të lejohen të hyjnë në tre tribunat e tjera. Gjithashtu, gjoba është ulur në 50 mijë euro.