Në Bruksel ka filluar takimi i të dërguarit special të BE-së Miroslav Lajçak dhe ekipit të tij me delegacionin e Serbisë.
Drejtori i zyrës serbe për propagandë kundër Kosovë, e ashtuquajtura “zyre për Kosovën”, i cili është edhe kryenegociator i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq, ka shkuar në Bruksel me një ekip prej 18 ekspertësh, transmeton Paparaci.
Më herët, pas takimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Miroslav Lajçak në Beograd, Petkoviq kishte deklaruar se diskutimet për statutin e Asociacionit duhet të japin përgjigje se në çfarë mënyre do të zgjidhen çështjet e rëndësishme që kanë të bëjnë me komunitetin, dhe para së gjithash si do të zgjidhen “kompetencat ekzekutive që i ka” Asociacioni, në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në vitet 2013 dhe 2015.
“Kjo vlen edhe për shëndetësinë, arsimin dhe planifikimin hapësinor dhe të gjitha çështjet e tjera të rëndësishme. Beogradi ka të drejtë të financojë të gjitha këto institucione përmes Asociacionit”, ka pretenduar Petkoviq.
Pas takimit me delegacionin serb, Lajçak do të presë në takim edhe delegacionin e Kosovës, të kryesuar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Të dyja palët më herët, më 26 tetor kanë qenë në Bruksel dhe më pas janë zhvilluar takime të ndara mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq me përfaqësues të BE-së./Paparaci.com