Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, e ka kritikuar deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekajn, i cili në Kuvend lëshoi kritika për Qeverinë Kurti lidhur me projektin në rrugën Dollc – Gjakovë.
“Doktor Pal Lekaj ka fytyrë e del flet në Kuvend për rrugën Dollc – Gjakovë. Këtë rrugë e ka nisur pikërisht ky i pafytyri si një projekt elektoral pa asnjë studim fizibiliteti”, shkroi Durmishi në një reagim në profilin e tij në Facebook.
“E filluan pa projekt, pa shpronësim, pa buxhet e pa ura. Ne e kemi siguruar buxhetin, e kemi përmbyll projektin, po e bëjmë shpronësimin dhe në këtë mandat do ta përfundojmë komplet ndërtimin”, shkroi tutje ai.
Lekaj, gjatë ditës, në seancën e Kuvendit të Kosovës foli pikërisht për këtë rrugë duke e hedhur fajin se Qeveria nuk po e përfundon rrugën.
“Keni krijuar pabarazi. Më shumë keni ndarë buxhet për një komunë që udhëhiqet nga VV-ja se një që nuk udhëhiqet. Me këtë buxhet, projektet në infrastrukturë, autostradat, rrugët janë aty ku kanë qenë. Keni vazhduar duke harruar projektet, siç është ajo e Dukagjinit. Pe marrë shembull rugën Gjakovë – Dollc, me të vërtetë e keni lënë në mjerim. Thua se Gjakova nuk i përket Kosovës. Shiheni si po zhvillohet ai projekt, as 5 kilometra nuk janë shtruar, gjendja është e mjerueshme”, tha Lekaj sot në Kuvend.