Të fundit

​Projektbuxheti për vitin 2024, Kurti përplaset me deputetët opozitarë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përplasur me deputetët opozitarë, në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet projektbuxheti për vitin 2023.

Kreu qeveritar ka insistuar se buxheti për vitin e ardhshëm është i zhvillimit, mbrojtjes dhe sigurisë. Mirëpo opozitarët e quajtën Kurtin një demagog, i cili, siç thanë ata, për tri vjet nuk ka realizuar asnjë projekt serioz zhvillimor që mund ta mbajnë mend qytetarët.

Kurti duke iu replikuar opozitarëve përmendi si sukses rritjen e bruto-produktit vendor në 10 miliardë euro, dyfishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja.

“Në qeverisjen tonë janë dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja. Eksportet kanë qenë të pakta por sidomos deficiti tregtar ka qenë i lartë. E kemi gjetur një me nëntë, ndërsa tash është një me gjashtë. Më tej ekonomisë gjatë kësaj qeverisje ia kemi shtuar mbi 1 miliard për çdo vit. Në vitin 2020 bruto produkti vendor ka qenë 6.77 miliardë euro, ndërsa në vitin e ardhshëm është mbi 10 miliardë euro. A e dini çfarë do të thotë që bruto-produkti i një vendi të rritet për gati 50 për qind për vetëm katër vjet. Është shumë vështirë të gjeni në histori kudo në botë shembuj të tjerë ku bruto-produkti vendor rritet për gati 50 për qind për katër vjet. Më tej pagat janë rritur, buxheti për paga në sektorin publik është rritur përmbi 100 milionë euro, kurse koeficienti për vitin 2024 është bërë 110. Qeveria jonë është shquar për investime posaçërisht në katër fusha: Mbrojte dhe siguri, shëndetësi, arsim dhe bujqësi”, tha ai.

Ai theksoi se kurrë më shumë armatim nuk është blerë në Kosovë, sesa në qeverisjen e tij.

“Kurrë më vështirë sesa sot në këtë shekull nuk ka qenë blerja e armatimit. Jo pse s’ka, por pse radha është shumë e gjatë. Kurrë më shumë armatim, municion dhe pajisje nuk janë blerë deri tani. Kurrë s’ka qenë më vështirë, kurrë s’ka qenë më i shtrenjtë dhe kurrë më shumë nuk është blerë”, shtoi Kurti.

Krahas kësaj, Kurti tha se “ka emigrim në vend, por s’ka zmbrapsje të Kosovës, siç po trumbetojnë opozitarët”.

“Nuk mendoj se po zmbrapset Kosova. Ka emigrim por nuk ka zmbrapsje të Kosovës dhe nuk do të ketë zmbrapsje edhe pas 1 janarit. Ju e din shumë mirë se ata që do të shkojnë tani pa nevojë për vizë në zonën schengen duhet të kthehen. Ata nuk shkojnë sikur në vitet e 90-ta kur kemi qenë të okupuar, ata shkojnë për t’u kthyer dhe jam i bindur se do t’i ndihmojnë bizneset dhe studentët tanë”, tha ai.

Atij i reagoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili akuzoi Kurtin se po shtrembëron shifrat si për rritje ekonomike ashtu edhe për rritjen e bruto-produktit vendor.

Ai tha se për rritjen e eksportit s’ka pas asnjë ndikim qeveria, pasi nuk ka krijuar asnjë politikë fiskale.

“Pa dashur me bërë humor por me bërë një kuiz dhe me iu thënë njerëzve hajt kush po ia qëllon një projekt madhor që është realizuar për tri vite nuk ia qëllojnë, pasi nuk mundesh me emëru një projekt madhor po them që është realizuar në tri vite. Ka një tendencë t’i dredhojnë pak shifrat, por ato janë kokëforta, pasi nuk mundesh me krahasu vitin 2020 me vitin 2023. Viti 2020 ka qenë pandemi dhe krejt vendet kanë ra në -30 për qind”, tha Hoti.

Mirëpo Kurti tha se rritja e bruto-produktit vendor është e madhe edhe nëse krahasohet me vitin 2019, dhe anashkalohet 2020-ta si vit i pandemisë.

“Edhe nëse e marrim se viti 2020 ka qenë vit i pandemisë, vit i pandemisë pa vaksina por e marrim vitin 2019. Bruto-produkti vendor ka qenë 7.05 miliardë dhe në vitin e ardhshëm do të jetë mbi 10 miliardë. Është kapërcim i madh dhe ju duhet ta kuptoni se bruto-produkti nuk rritet siç ne kemi dëshirë por me një bazë qysh e trashëgon. Ne i kemi ndihmuar eksportuesit me subvencionim të kredive investime”, theksoi ai.

Kritik ndaj Kurtit u shpreh deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili e quajti atë demagog dhe hipokrit.

“Ne po e shohim demagogjinë e kryeministrit Kurti që edhe këtu del dhe i mbron me kokëfortësi. Është për fat të keq që kemi një demagog dhe një hipokrit në krye të detyrës. Ne po shohim çdo ditë se qytetarët po varfërohen. Bizneset po shihen si armiqtë dhe jo si mundësi për t’i punësuar qytetarët e vendit”, deklaroi Lushtaku.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se projekt-buxheti për vitin 2024 është i dobët dhe pa asnjë projekt madhor.

“Sot ka qenë ekspozeja më e dobët e Albin Kurtit në këtë parlament. Nëse mundeni me thënë ju deputetë nëse keni mbajtur mend një premtim apo zotim rreth temave që ballafaqohet Kosova në raport me krizën ekonomike, pagat në sektorin publik dhe sigurinë në vend”, theksoi Tahiri.

Video nga Paradoks

"Prej jashti s'keni pa": Fisnik Ismaili flet për Shpend Ahmetin e Përparim Ramën - "Goditjet i kanë ardhë nga VV"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci