Të shtunën, stadiumi i Bazelit ‘St. Jakobs Park’ do të jetë nikoqir i një ndeshje të nxehtë kualifikuese për Kampionatin Evropian ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.
Mbrojtësi i Kosovës, Florent Hadergjonaj, ka thënë për mediat zvicerane se kjo do të jetë “ndeshja më e madhe në shtëpi e kombëtares kosovare” deri më tani, duke aluduar në numrin e madh të tifozëve shqiptarë që pritet të jenë në stadium.
I pyetur nga gazeta zvicerane “20min” rreth atmosferës në stadium, ai tha se pret që ndeshja në Bazel të jetë me Kosovën që do të ndihet si vendëse.
“Po, nga ajo që dëgjojmë, do të jetë një atmosferë e mirë. Për sa i përket numrit të tifozëve në stadium, ndoshta do të jetë ndeshja më e madhe në shtëpi që kemi pasur ndonjëherë si kombëtare e Kosovës (qesh)”, u shpreh ai.
Hadërgjonaj, po ashtu foli edhe për mungesën e tij në takimin ndaj Izraelit të dielën.
“Meqenëse loja jonë u shty për një datë kur ende po zhvilloheshin ndeshjet e klubeve dhe ne jemi dy lojtarë të kombëtares së Kosovës në Alanyaspor, klubi vendosi që vetëm njëri [Fidan Aliti] prej nesh të mund të shkonte në kombëtare. Kështu që qëndrova në Turqi dhe të hënën udhëtova për në Prishtinë”, tha Hadërgjonaj.
Mbrojtësi tha se ka marrëdhënie të mira me futbollistët shqiptarë të Zvicrës.
“Pas ndeshjes së parë, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka ishin të pakënaqur me rezultatin. Ky do të jetë një motiv shtesë për ta dhe ata patjetër do të duan të tregojnë veten. Sigurisht që pas rezultateve të fundit kanë presion edhe për kualifikim”, tha Hadërgjonaj.