Një mjek në spitalin al Shifa në Gaza ka thënë se ushqimi dhe uji po mbarojnë, teksa forcat izraelite vazhdojnë kërkimin e tyre në kompleks.
Doktor Ahmed El Mokhallalati tha se furnizimet e ofruara nga ushtria izraelite janë “shumë, shumë minimale”.
Forcat izraelite kanë kontrolluar prej disa ditësh spitalin – më i madhi i Gazës.
Izraeli deri më tani ka publikuar fotografi të atyre që thotë se janë armë dhe xhaketa të gjetura atje:
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë publikuar gjithashtu imazhe të asaj që pretendojnë se është një bosht tuneli i Hamasit në kompleksin spitalor – megjithëse këto fotografi nuk mund të verifikohen nga mediat.
Megjithatë, Dr El Mokhallalati tha se forcat izraelite “nuk kishin gjetur asgjë”.
Forcat izraelite pretendojnë se spitali përdoret nga Hamasi për të drejtuar operacionet e tij ushtarake, një pohim i mbështetur nga ShBA-ja në fillim të kësaj jave.
Hamasi i ka hedhur poshtë pretendimet si “gënjeshtra të hapura”.
Human Rights Watch ka paralajmëruar se spitalet kanë mbrojtje të posaçme sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe e humbasin atë status vetëm “nëse mund të tregohet se akte të dëmshme janë kryer nga lokalet e tyre”.
Duke folur përpara pretendimit për tunelin e përfolur, drejtori i OKB-së, Louis Charbonneau, tha: “Qeveria izraelite nuk ka ofruar asnjë provë për këtë”.