Të fundit

Barnatoret e Prishtinës të pakënaqura me orarin e ri, i vendosin ultimatum komunës

Orari i ri i barnatoreve në Prishtinë ka shkaktuar pakënaqësi te pronarët e barnatoreve. Sipas tyre, janë pacientët dhe qytetarët që pësojnë nga orari i ri sepse sigurimi dhe gjetja e barnave për ta do të vështirësohet nga ky orar. Madje, ata ndër të tjera, kanë vendosur edhe ultimatum për komunën e Prishtinës për ndryshimin e kësaj rregulloreje.

Mbi 30 barnatore të kryeqytetit kanë autorizuar një avokat për të parashtruar kërkesë në komunën e Prishtinës për ndryshimin e Rregullores për orarin e barnatoreve në kryeqytet, përcjell Paparaci.com.

Në shkresën dërguar komunës së Prishtinës mbi 30 barnatore qëndrojnë prapa idesë se përcaktimi i këtij orari të punës, që sugjeron mbylljen e barnatoreve në ora 21:00 e dëmton dhe rrezikon shëndetin e pacientëve.

Pronarët e barnatoreve konsiderojnë se trajtimi në Klinikën Emergjente nuk ka orar dhe mbyllja e barnatoreve sipas tyre e rrezikon drejtpërdrejt pacientin që merr shërbime.

“Ta marrim shembull një pacient të shtrirë në klinikat e SHSKUK, përkatësisht familjari a kujdestari i tij, nëse ka nevojë për një medikament të thjeshtë apo edhe ta zëmë për një katetër, pas orës 21:00h ose ditën e diel, ai pacient a familjari i tij e ka jashtëzakonisht të vështirë të dije cilat barnatore janë kujdestare, të udhëtoj deri tek ajo barnatore e të furnizohet. Shto kuëtu faktin se jo të gjitha barnatoret janë njësoj të furnizuara e sidomos ato në periferi, mbyllja kaq e hershme e barnatoreve si dhe mbyllja e tyre ditën e diel, e rrezikon seriozisht shëndetin e pacientëve.”, thuhet në argumentimin e avokatit përfaqësues të barnatoreve.

Ata konsiderojnë se nga orari janë rrezikuar edhe mosha e tretë për shkak të njohurive të pakta në teknologji të cilët nuk mund të kenë qasje në orarin e barnatoreve.

Përtej pretendimit për gjetjen e disa kontradiktave ligjore në rregullore, barnatoret kanë shprehur gatishmërinë për bisedë me drejtorin e Shëndetësisë për gjetjen e një zgjidhjeje të re për orarin e barnatoreve.

Megjithatë, barnatoret kanë vendosur një ultimatum për Komunën. Në shenjë pakënaqësie ata kanë thënë se do të organizojnë protestë të dielën më datë 19.11.2023, duke i hapur barnatoret dhe duke mos shitur barna. Kjo do të vazhdojë sipas ankuesve çdo të diel deri në ndryshimin e rregullores.

“Ne shenjë paknaqësie për faktin se jemi vënë në pozitë të aktit të kryer, barnatoret e paraqitura në këtë Ankesë do të organizojnë PROTESTË ditën e Diel datë 19.11.2023, duke i hapur barnatoret por duke mos shitur barna, dhe atë cdo të diel deri në ndryshimin e kësaj rregulloreje dhe rikthimin e orarit të vjetër. Kjo shkresë është njoftim për këtë protestë. Kjo Rregullore madje ashpërson gjobat ndaj bizneseve/barnatoreve prandaj është në kundërshtim me parimin kushtetues të proporcionalitetit në raport me dëmin që i shkaktohet shtetit prandaj Ankuesit presin që Komuna të mos shqiptoj gjoba për protestën e organzuar nga barnatoret ankuese.”, thuhet në shkresë.

Rreth një muaj më parë, komuna e Prishtinës kishte marrë vendim për ndryshimin e rregullores për orarin e punës për barnatoret duke e kufizuar atë deri në ora 21:00.

Pas orës 21:00, komuna e Prishtinës me rotacion kishte caktuar disa barnatore kujdestare të cilat do të ishin në dispozicion të qytetarëve gjatë natës.

“Orari i kujdestarisë së natës për barnatore është prej orës 21:00 deri në 07:00, kujdestarojnë 5 (pesë) barnatore në gjithë kryeqytetin. Gjobiten me nga 300 deri në 1000 euro personi fizik dhe nga 1000 deri në 3000 euro personi juridik, nëse nuk i përmbahen orarit të përcaktuar. Orari i barnatoreve kujdestare do të publikohet së shpejti”, thuhej në njoftimin e komunës.

Për barnatoret që nuk e respektojnë këtë rregullore, u paralajmëruan edhe gjoba. Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale i kishte reaguar këtij vendimi duke e cilësuar të kundërligjshëm.

AKPPM ka thënë se e cilëson këtë rregullore pa bazë ligjore “sepse bazuar në Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe Udhëzimit Administrativ për Qarkulluesit Farmaceutik me Pakicë (Barnatoret) AKPPM është i vetmi autoritet kompetent për rregullimin e tregut farmaceutik, që bënë licencimin dhe rregullimin e fushë veprimtarisë se barnatoreve në Republikën e Kosovës”.

“Vlen të ceket se AKPPM ka bërë të njohura qëndrimet zyrtare në takimin me Drejtorinë e Shëndetësisë të Komunës së Prishtinës ku janë njoftuar se niveli lokal (komunat) nuk janë kompetente për rregullimin e orareve dhe kujdestarive të qarkulluesve me pakicë dhe se kjo çështje do të rregullohet përmes plotësim-ndryshimit të UA/11-2015 për Qarkulluesit Farmaceutik me Pakicë (Barnatoret). Andaj tendenca për marrjen e kompetencave të nivelit qendror nga niveli lokal është e kundërligjshme dhe si e tillë kundërshtohet nga AKPPM.”

AKPPM ka thënë se janë të habitur se si “Oda Farmaceutike involvohet në përkrahjen e një tendence të kundërligjshme për marrjen e kompetencave të nivelit qendror për shkak se përveç se nuk është kompetente dhe për më tepër është në dijeni se UA i lartcekur është i përfshirë në Planin legjislativ të MSH-së me Vendim të Ministrit të Shëndetësisë dhe po ashtu është në dijeni për caktimin e zyrtarit përgjegjës dhe grupit punues për plotësim-ndryshim të këtij udhëzimi”.

“Nëse Oda e Farmacistëve vazhdon në të ardhmen me një qasje destruktive ndaj AKPPM-së dhe MSH-së, AKPPM do të shkëpus marrëveshjen e bashkëpunimit me Odën Farmaceutike.”

“Njoftojmë publikun dhe subjektet farmaceutike se nuk janë të obliguar ti nënshtrohen nivelit lokal për përcaktimin e orarit dhe kujdestarive pasi që drafti final i Udhëzimit Administrativ i punuar nga zyrtari përgjegjës dhe grupi punues të caktuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MSH-së ku AKPPM do të përcakton oraret dhe kujdestaritë, i cili do të jetë i gatshëm për aprovim në MSH që nga mesi i shtatorit.”

Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i komunës së Prishtinës pas “ultimatumit” të barnatoreve se nuk do të punojnë të dielën. /Paparaci.com/

Ky është orari i kujdestarisë së barnatoreve në Prishtinë, këtë muaj nis të zbatohet

 

Video nga Paradoks

Audio-incizimi: Gërvalla premton që do t’i sjellë para bordit dy agjentët e AKI-së

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci