Në ditën e dytë të Forumit Ndërkombëtar Ulpiana, që po mbahet në Prishtinë, përfaqësues nga shtete të rajonit shprehën brengën për migrimin e qytetarëve të tyre. Ata treguan se migrimin nuk e kanë ndalur as politikat e ndryshme që kanë aplikuar, e madje as anëtarësimi në BE, si në rastin e Kroacisë.
Disa prej shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë ndarë shqetësimet për migrimin e qytetarëve të tyre dhe kanë shpalosur politikat që kanë vënë në zbatim për përfshirjen e diasporës në vendimmarrje.
Diskutimet mbi këtë çështje u zhvilluan në kuadër të Forumit Ndërkombëtar Ulpiana, që u organizua në Prishtinë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Nikoqirja e forumit, ministrja Donika Gërvalla, tha se të gjitha vendet e rajonit kanë nevojë të përfitojnë nga përvoja e diasporës së tyre. Sipas saj, diaspora në Kosovë sjell më shumë se 1 miliard euro, shumë për të cilën ka thënë se nuk është e vogël.
“Më shumë sesa paratë që diaspora sjell, ne kemi nevojë për përvojën e tyre nga diplomacitë e zhvilluara dhe vullnetin e tyre për të parë Kosovën që të arrijë fazën e njëjtë me shtetet ku ata jetojnë”, ka thënë Gërvalla.
Duke folur për nevojën e angazhimit politik të diasporës në Kosovës, ajo ka përmendur hapat që ka ndërmarrë Qeveria, në mesin e të cilëve edhe atë që t’ua mundësojë mërgimtarëve të votojnë edhe nëpër ambasada e konsullata.
“Unë e di që njerëzit tanë atje do të kremtojnë dhe do t’u tregojnë fëmijëve që vota është me rëndësi dhe që me të i kontribuojnë mjedisit politik këtu”, ka thënë ajo.
Përfaqësues të shteteve të rajonit treguan se migrimin nuk e kanë ndalur as politikat e ndryshme që kanë aplikuar e madje as anëtarësimi në BE.
Duke ndarë përvojën e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka thënë se integrimi në BE do ta stoponte procesin.
“E vetmja mënyrë që ta ndalojmë migrimin, që t’i mbajmë të rinjtë tanë në vendin tonë, mos ta rrisim komunitetin e diasporës është që t’i bashkëngjitemi Bashkimit Evropian, është që ta mbyllim këtë boshllëkun mes nesh dhe shteteve ku njerëzit tanë shkojnë për një jetë më të mirë”, ka thënë Osmani.
Por, të kundërtën e tha Zdenko Luciç, sekretar i shtetit për Punë të Jashtme dhe Evropiane në Kroaci, shtetit që është pjesë e BE-së. Sipas tij, edhe pas anëtarësimit në BE kroatët kanë shfrytëzuar të drejtën e lëvizjes së lirë për të gjetur punë më të mira jashtë vendit.
“Ajo që shtetet duhet të bëjnë në mënyrë që të parandalojnë migrimin është që të ruajnë talentet dhe t’i joshin njerëzit që të kthehen në vend dhe të bashkëpunojnë. Të ketë një bashkëpunim me diasporën”, ka thënë Luciç. “Çdo shtet, duke përfshirë edhe Kroacinë, për të pasur sukses në këtë proces duhet t’i bëjë detyrat e shtëpisë. Pra, duhet të përmirësoni kornizën ligjore, sundimin e ligjit, të luftoni korrupsionin dhe në mënyrë që kjo pastaj të reflektojë sa u përket aktiviteteve tuaja me diasporën”.
Por, përfaqësues shtetesh, si ata të Shqipërisë, thanë të jetë sfidë edhe regjistrimi i komunitetit që kanë në diasporë.
“Një gjë me rëndësi është që një grup ndërministror i brendshëm ka filluar me një iniciativë për të bërë një grup punues, i cili do të ftojë dhe të motivojë profesionistë nga e gjithë bota, nga diaspora shqiptare, të bashkëpunojnë me misionet diplomatike”, ka thënë Artemis Malo, zëvendësministre për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë.
Forumi Ndërkombëtar Ulpiana, që ka pjesëmarrës nga 21 shtete, është hapur të enjten mbrëma dhe do të përmbyllet të shtunën.