Të fundit

​Zbehet mbështetja e tifozëve për Kosovën, analistët e shohin si fakt shqetësues

Mungesa e rezultateve në kualifikimet për në Kampionatin Evropian, por edhe atmosfera jo e mirë brenda kombëtares ka bërë që në ndeshjet e fundit, Kosova të mos e ketë mbështetjen e fuqishme të tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ballafaqimi me Izraelin në Prishtinë nuk solli më shumë se 6000 tifozë në tribuna, situatë kjo që po konsiderohet shqetësuese nga njohësit e futbolli vendor.

Sipas analistit Driton Latifi, sfida me Izraelin ishte rast i veçantë për shkak të situatës së krijuar. Ndërsa, problem tjetër, sipas tij, është se një pjesë e tifozëve janë shumë euforik dhe në momentin kur mungojnë rezultatet, ata e braktisin kombëtaren.

“Unë besoj që në lidhje me ndeshjen me Izraelin ndër probleme kryesore ka qenë aspekti i sigurisë, siguria tepër e lartë që është folur, ka ardhur një kundërshtar që ka qenë vërtetë i pazakonshëm i ardhur në ndeshjen e parë pas problemeve që kanë në vendin e tyre edhe gjithë kjo ka transmetuar sigurisht krejt këtë gjendjen tek tifozët. Por mos të harrojmë që është e vërtetë se edhe një pjesë e tifozëve vërtetë kanë krijuar pakënaqësi, pastaj tek ne entuziazmi i tifozëve është një pjesë tjetër që janë euforik kur ka rezultat dhe nuk shkojnë kur nuk ka rezultat, do të thotë janë pak a shumë tifozë selektiv për mendimin tim dhe mbi të gjitha edhe koha dhe për shkak të temperaturave të ulëta ka qenë po ashtu një prej faktorëve edhe shiu që ka rënë i cili ka ndikuar në mosardhjen e mjaftueshme të tifozëve.”, tha Latifi.

Kurse, kryetari i grupit të tifozëve të Kosovës të njohur si “Dardanët”, Lulzim Berisha, ka thënë për KosovaPress, se përveç rezultateve, në ftohjen e tifozëve po ndikojnë edhe debatet televizive duke zbehur kështu interesimin e tifozëve për ta mbështetur kombëtaren.

“Është normale, pak çështja e kohës, çështja e rezultateve, çështja e shumë analistëve, çështja e shumë njerëzve që nuk kanë asnjë vlerë sportive, asnjë kontribut sportiv kanë ndikuar çdo ditë nëpër debate, komente e statuse që e kanë zbehur pak ardhjen e tifozëve por edhe rezultatet, siç e pamë ne nuk ishte në plan të parë fitorja e Kosovës. Çdo lojë e Kosovës e ka peshën e vet… Duhet bashkarisht të mblidhemi dhe të diskutojmë, të analizojmë ku kanë qenë gabimet edhe pse gabimi kryesor ka qenë i shtetit për çështje private të disa individëve sepse fatkeqësisht brenda nëpër çdo institucion ka njerëz që nuk ia duan të mirën e këtij vendi dhe unë besoj që duhet të ulemi së bashku dhe ta shohim një selektor që do të punojë si duhet.”, ka deklaruar Berisha.

Si shqetësuese mungesën e tifozëve në tribuna po e sheh edhe analisti Genc Sermaxhaj. Ai thotë për KosovaPress, se tifozët kanë arsye që janë ftohur pasi kombëtarja nuk po ka rezultate të mira, derisa pritjet ishin shumë më të mëdha.

“Ajo që ka qenë paksa shqetësuese, jo vetëm në ndeshjen ndaj Izraelit por në përgjithësi në këto ndeshjet e fundit ka qenë pjesëmarrja jo e mjaftueshme e tifozëve në tribuna, gjë e cila është për t’u shqetësuar, por mbase edhe kanë disa arsye tifozët që të mos jenë prezent në stadium për arsye të mos rezultateve të mira në këto eliminatore që përfaqësuesja jonë ka zhvilluar sepse të gjithë kanë pritur që kësaj here në bazë të kombëtareve tjera që i kemi pasur në grup, kemi pasur mundësi që të kualifikohemi për në Euro 2024, por që nuk doli ashtu dhe më pastaj tifozët tanë u shqetësuan, u ftohen nga ato paraqitje që përfaqësuesja jonë i ka mbledhur dhe normal që nuk kemi pasur tifozeri të mjaftueshme në tribuna”, theksoi Sermaxhaj.

Për ta rikthyer entuziazmin tek tifozët, analisti Driton Latifi theksoi se te Kosova duhet të bëhet ndryshimi i gjeneratës dhe ky proces nuk është i lehtë për t’u bërë, pasi nevojitet freski e lojtarëve.

“Unë mendoj se në këtë aspekt ka nevojë për një freskim të lojtarëve, ka ardhur një kohë që jemi duke u përshëndetur prej një gjenerate të lojtarëve që kanë qenë bartës prej fillimit të pranimit të Kosovës dhe tani fillojnë ato dhimbjet e rritjes të kombëtareve sikur Kosova që tashmë i ka kaluar Shqipëria ku çdo lëvizje e re lë shenjat e veta. Duke qenë një kombëtare me resurse të caktuara, çoftë futbollistike apo humane apo të përgjithshme, atëherë gjithçka mbetet mbi parimin e fatit se çfarë do të na sjellë e ardhmja.”, tha më tutje Latifi.

Ndryshe, në ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Izraelit që u zhvillua më 12 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, në stadium ishin të pranishëm vetëm rreth 6000 mijë tifozë, derisa kapaciteti total i stadiumit është rreth 14 mijë ulëse.

Video nga Paradoks

Intervistë ekskluzive: Valdet Zekaj rrëfen në detaje ngjarjen e Kumanovës

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci