Të fundit

Mosdekretimi i Isufajt per Kryeprokorur: Presidentja nuk dërgohet në Kushtetuese, PDK-ja e fajëson LDK-në për mosdhënie të nënshkrimeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk është dërguar në Gjykatë Kushtetuese për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit.

Ndonëse veprimi i presidentes ishte kritikuar ashpër nga opozita, tri partitë opozitare nuk kanë arritur një gjuhë të përbashkët për të adresuar këtë çështje në Kushtetuese. Dje janë bërë një muaj prej kur shefja e shtetit ka treguar publikisht se nuk do ta dekreton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit dhe në këtë mënyrë ka skaduar afati i adresimit të kësaj çështje.

Partia më e madhe opozitare, PDK, ka fajësuar LDK-në se nuk ia ka dhënë nënshkrimet e deputetëve të saj për temë.

Avokati i Grupit Parlamentar të PDK-së, Faton Fetahu, ka thënë për gazetën Nacionale se pas premtimit publik për dhënien e nënshkrimeve, partia e Lumir Abdixhikut është tërhequr në mënyrë të pashpjegueshme.

Ai ka treguar se rastin për dërgim në Kushtetuese e ka përgatitur në detaje.

Fetahu është shprehur i bindur se presidentja kishte bërë shkelje kushtetuese.

“Në cilësi të Përfaqësuesit të Autorizuar të Grupit Parlamentar të PDK-së, mund t’ju konfirmoj se brenda dhjetë dite nga akti i mosdekretimit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, e kam përgatitur rastin për Gjykatë Kushtetuese dhe atë mbi dy baza: Vlerësimi nëse Presidentja e Republikës së Kosovës ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës, me nxjerrjen e aktit të mosdekretimit, si dhe Vlerësimin e pajtueshmërisë më Kushtetutën të aktit të mosdekretimit”, ka thënë Fetahu.
Ai ka bërë me dije se në mungesë të vullnetit politik ka dështuar sigurimi i 30 nënshkrimeve të deputetëve, të cilat janë të nevojshme për të dërguar një çështje në Gjykatën Kushtetuese.

“Fatkeqësisht, në mungesë të vullnetit, dështoi sigurimi i tridhjetë nënshkrimeve të nevojshme për të ngritur çështjen nëse Presidentja e Republikës së Kosovës ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës. Ndërkaq, ende ka afat për të parashtruar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të mosdekretimit, meqë kjo e fundit mund të ngritet brenda gjashtë muajve. Nuk më takon mua të jap vlerësime politike se pse një grup parlamentar edhe pas premtimit publik për dhënien e nënshkrimeve, u tërhoq në mënyrë të pashpjegueshme”, është shprehur ai.

Sipas tij, mosdërgimi i këtij rasti në Kushtetuese është humbje për demokracinë.

“Por, mund të them se është fatkeqësi humbja e një mundësie kushtetuese të tillë, për të mbrojtur rendin kushtetues nga njëra anë, por edhe për të ri-konfirmuar qartë edhe përkufizimin e shtrirjes së kompetencës dhe rolit të institucionit të Presidentit në raport me emërimet gjyqësore”, ka vlerësuar Fetahu.

Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një qëndrim për këtë çështje nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi partia e Lumir Abdixhikut nuk ka dhënë ndonjë sqarim.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë mbledhur vetëm 25 nënshkrime për këtë çështje.

LDK-ja iu frikësuar Presidentes?
Heshtjen e LDK-së për këtë rast e ka kritikuar ashpër analisti politik Afrim Kasolli.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kasolli ka shkruar se LDK-ja nuk i ka dhënë nënshkrimet për shkak të afërsisë që ka me presidenten Vjosa Osmani.

Refuzimin e LDK-së për ta dërguar Osmanin në Kushtetuese ai e ka quajtur si “tradhti ndaj Republikës”.

“Nuk jam ithtar i përdorimit të nocionit tradhti. Mirëpo, për aq kohë sa përdoret koncepti “patriotizëm kushtetues” atëherë edhe ato veprime politike që e bllokojnë mbrojtjen e këtij rendi nuk kanë si të cilësohen ndryshe, pos tradhti ndaj demokracisë kushtetuese. E, këtë model sot e ka përfaqësuar LDK-ja nën drejtimin Lumir Abdigjikut. Me vullnetin e përkulur të vartësit politik të Vjosa Osmanit për t’i shërbyer me çdo kusht pushtetit aktual, kjo parti ia njohu kësaj koniunkture politike të drejtat absolute. Me refuzimin për t’i dhënë nënshkrimet se bashku me PDK-ne dhe AAK-ne për ta adresuar para Gjykatës Kushtetuese mosveprimin e Presidentes në mosemërimin e Kryeprokurorit të shtetit, tashmë kjo parti e bekojë atë me atribute monarkike”, ka shkruar Kasolli.

Sipas tij, LDK-ja në këtë rast i është frikësuar shantazhit të presidentes Osmani.

“Që nga sot, ajo nuk ka nevojë ta mashtrojë opinionin publik se është opozitë e pushtetit. Nuk i ndihmojnë në këtë drejtim as spitullimet me podkasta dhe inskenimet e “rrugës së re”. Në vend të mbrojtjes së kushtetutës , kjo “parti institucionaliste” zgjodhi përuljen para të parës së shtetit në dëm të respektimit të aktit më të lartë ligjor në vend. Apo edhe iu nënshtrua deri në palcë shantazhit të Presidentes, së kush guxon ta dërgojë këtë lëndë në Gjykatën Kushtetuese do të ketë beteja politike me të. Rjedhimisht, me këtë mosveprim LDK-ja është pajtuar që edhe institucionet e pavarura juridike dhe kushtetuese të shtetit duhet të shuhen, sepse në vend të parimeve të sundimit të ligjit, në këtë vend ka vlerë vetëm ligji i sundimtarit. Skadimi i afatit për ta adresuar këtë lëndë në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet mend edhe si dita kur u vulos tradhtia politike ndaj parimeve të ndarjes së pushtetit dhe republikës nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka shkruar ai.

Pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte treguar se nuk do ta dekretonte Kryeprokurotin e ri të Shtetit, LDK-ja e kishte kritikuar veprimin e shefes së shtetit.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, kishte vlerësuar se shefja e shtetit kishte bërë shkelje kushtetuese.

Sipas tij, veprimi i Osmanit ka qenë skandaloz.

“Skandali nr.1 Ajo dje dëshmoj që për 18 muaj ka abstenuar, në ushtrimin e detyrimeve që ia ka përcaktuar kushtetuta e Kosovës. Neni 84.2 i Kushtetutës kur flet për kompetencat e presidentit thotë: ‘Garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë’. Ky paragraf i vesh presidentit të republikës kompetencën e garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve të përcaktuar me kushtetutë. Pra kjo normë nuk është fakultative apo dëshirore për presidenten, pra nuk i lihet vullnetit të saj por është normë detyruese e domosdoshme kushtetuese, për të vepruar për mirë funksonimin kushtetues të institucioneve kushtetuese”, kishte shkruar Selmanaj në profilin e tij në “Facebook”.

Rrëzimi i presidentes

Njohësit e çështjeve kushtetutës ishin shprehur të bindur se nëse rasti do të dërgohej në Kushtetuese, do të konstatohet shkelja e aktit më të lartë juridik nga ana e presidentes.
Madje, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, kishte thënë se kjo do të përbente shkelje serioze.

“Unë besoj se po. Gjykuar nga rastet e kaluara, kjo shkelje përbën një shkelje më serioze, sepse është më e prekshme dhe më lehtë për t’u provuar, përfshirë dhe aspektin e pranueshmërisë së kërkesës eventuale. Çështja është nëse do të dërgohet dhe nëse do ndiqen precedentët e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese. Deri më sot, siç e thash, precedentët janë braktisur shpesh, në një mënyrë të gabuar. Kjo mund të ndodhë sërish. Ky ndryshim i shpejt dhe i bazuar në arsye metafizike, krejtësisht ekstra juridike, prish sigurinë dhe stabilitetin juridik në vend. Ndryshimet e precedentëve të kaluar mund të bëhet dhe është standard i Gjykatës së Strasburgut. Por kjo mund të bëhet vetëm kur flitet për liritë dhe të drejtat kushtetuese”, kishte thënë Hasani për gazetën “Insajderi”.

Më 17 tetor, Presidentja Vjosa Osmani kishte njoftuar se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, ajo kishte përmendur disa shkelje ligjore, që sipas saj, janë gjetur në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit.

Presidentja ka kërkuar nga Këshillit Prokurorial që të propozojë një emër tjetër për këtë post.

Këshilli Prokurorial i Kosovës emrin e Isufajt në Presidencë e kishte dërguar më 8 prill 2022.

Të njëjtin veprim KPK-ja e ka bërë tani më 1 nëntor.

Video nga Paradoks

“Jemi dëshmitarë të fenomenit të eskortave”: Kirurgu plastik pyetet për operacionet plastike te vajzat shqiptare, flet mbi arsyet

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci