Të fundit

Shqipëria kërkon fitore në ndeshjen festive me Ishujt Faroe

Me barazimin e së premtes në Moldavi, Kombëtarja e Shqipërisë në futboll ka prerë biletën për Kampionatin Evropian që në vitin 2024 mbahet në Gjermani. Rrjedhimisht ndeshja e fundit kualifikues, ajo ndaj Ishujve Faroe, mund të llogaritet edhe festive. Por jo për përzgjedhësin Sylvinho, që vlerësohet se ka ngritur kuqezinjtë në nivel tjetër, dukshëm më të lartë. Ai ka kërkuar seriozitet maksimal dhe fitore ndaj Ishujve Faroe.

Ndeshja Shqipëri – Ishujt Faroe zhvillohet të hënën prej orës 20:45 në “Air Albania” në Tiranë. Stadiumi do të jetë i stërmbushur me shikues, ndërsa parashikohet atmosferë e zjarrtë. Me fitore Shqipëria e siguron vendin e parë në grup, që ka vlerë sa i takon shortit për Evropian. Kjo bën që selektori Sylvinho të jetë maksimalisht i fokusuar.

“Dua të falënderoj të gjithë njerëzit në Shqipëri, është një ëndërr. Që kur u kthyem kemi menduar për ndeshjen me Ishujt Faroe. Ka lojtarë të gjatë dhe që mbrohen mirë. Ne kemi edhe objektivin tjetër që është vendi i parë në grup. Duhet të bëjmë një paraqitje të mirë dhe më pas të presim një pozitë më të mirë për shortin e 2 dhjetorit. Është një ndeshje e vështirë, por jemi në gjendje të mirë dhe duam ta mbyllim me fitore këtë fushatë kualifikuese”, ka thënë Sylvinho të dielën në konferencë për shtyp.

Ai ka paralajmëruar ndryshime në formacion. Por ka përsëritur se serioziteti do të jetë maksimal.

“Tifozët vijnë të festojnë, ne jemi në punë. Janë 22 mijë persona që do të vijnë për të na dhënë mbështetje. Sa i përket ndryshimeve është pak e vështirë. Djemtë vijnë vetëm pas një stërvitjeje rikuperuese, nuk kishim shumë kohë. Duhet të hedhim në fushë një skuadër më të freskët dhe do të ketë ndonjë ndryshim”, ka shtuar Sylvinho.

Ai ka theksuar se janë 50 lojtarë që monitorohen nga stafi i Kombëtares. Ka thënë se pos Armando Brojës e Marash Kumbullës po përcjellin edhe shumë të tjerë.

“Kombëtarja e ka derën hapur, të shohim kush është më i mirë për ekipin. Është punë e vështirë por e mirë për një trajner. Ku ka lojtarë të mirë që bëjnë futboll të mirë, është e vështirë për trajnerin. Por është gjë e mirë që të zgjedhësh më të mirët”, ka vazhduar Sylvinho.

Ai nuk brengoset për shortin për Evropian, që tërhiqet më 2 dhjetor. Sylvinho ka thënë se 70 për qind e listës për Evropian do të përbëhet nga lojtarë që janë aktualisht në Kombëtare.

Sylvinho ka mohuar se ka ndonjë mospajtim me Armando Brojën. Ka shtuar se tashmë ndjehet shqiptar dhe se në zemër është shqiptar.

“Është një ëndërr për të gjithë, është një nder për mua që të ec përpara si trajner i kësaj Kombëtareje. Është shumë e bukur, jam vërtetë i lumtur”, ka thënë braziliani Sylvinho.

Në konferencë për media foli edhe mesfushori Keidi Bare. Ai natyrisht foli për kualifikimin për herë të dytë në Evropian.

“Një arritje e madhe, ëndërr e bërë realitet. Nuk duhet të ndalemi këtu. Është diçka që e kam ëndërruar që i vogël, por edhe i gjithë ekipi kombëtar. Është unike për ne dhe për popullin. Ia kemi dalë me punë dhe besim si dhe me mbështetjen e tifozëve që kanë qenë prezent. Janë lojtari ynë i dymbëdhjetë”, ka thënë Bare.

Ai ka theksuar se Kombëtarja duhet të mendojë për më lartë, për suksese të reja.

Një xhiro para fundit, Shqipëria udhëheq në Grupin E me 14 pikë. Çekia është e dyta me 12 pikë, ndërsa Polonia e treta me 11 pikë. Moldavia është e katërta me dhjetë pikë. Polonia ka përfunduar ndeshjet dhe është pa gjasa në kualifikimet e rregullta. Po prej orës 20:45, të hënën, Çekia e Moldavia luajnë ndeshje vendimtare për kualifikim në Evropioan.

Video nga Paradoks

"Prej jashti s'keni pa": Fisnik Ismaili flet për Shpend Ahmetin e Përparim Ramën - "Goditjet i kanë ardhë nga VV"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci