Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka përfunduar dëshminë e saj rreth rastit Dehari.
E ftuar për të dhënë dëshmi nga Prokuroria Speciale, Haxhiu ka dëshmuar para hetuesve policorë të hënën në Prishtinë.
Avokati i familjes së ish-aktivistit Astrit Dehari, Tomë Gashi, ka thënë se Prokuroria s’po e lejon atë të kryejë punën e avokatit, pasi s’u lejua të hënën të jetë prezent gjatë intervistimit të ministres Albulena Haxhiu.
Ai ka thënë para mediave se Prokuroria po vonohet në rastin e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke shtuar se “ajo po vepron në mënyrë selektive”
“Prokuroria për arsye të panjohura po vepron në mënyrë selektive sepse me dhjetëra dëshmitarë që janë marrë në pyetje në këtë ndërtesë, i ka lejuar dhe ka kërkuar të jem pjesëmarrës, ndërsa në raste të caktuara shumë të ndjeshme s’ka lejuar. Rasti i Astrit Deharit është më i dhimbshmi në Kosovën e pasluftës…Prokuroria fatkeqësisht s’po lejon që ta kryejmë punën tonë si avokat, respektivisht si përfaqësues juridik të familjes së Astrit. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, do të sqarojë dhe do t’iu përgjigjet pyetjeve konkrete që Prokuroria e ka autorizuar Policinë”, ka shtuar Gashi.