Të fundit

Haxhiu për rastin Dehari: Po ta dija emrin e kryesit s’do prisja ftesë nga prokurori për ta thënë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se është marrë në pyetje nga Policia e Kosovës për rastin e ish-aktivistit Astrit Dehari.

Ajo ka thënë të hënën para mediave se prokurori Afrim Shefkiu po e mban peng zbardhjen e rastit së Deharit, e sipas saj, nevojitet drejtësi dhe llogari “sipas përgjegjësisë”.

“Po ta kisha emrin e kryerësit s’do ta prisja ftesën e prokurorit për ta thënë emrit e personit që dyshohet. Punën e tij (prokurorit) s’mund ta bëj. Ka arsye për t’u brengosur se përkundur një sërë veprimesh që nga vdekja, s’janë kryer hetime të mirëfillta…”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka ftuar prokurorin të kryejë hetime të përgjegjshme, në të kundërtën “të mos e pengojë drejtësinë”.

Haxhiu, ka thënë se gjatë intervistimit i është bërë vetëm një pyetje dhe aty nuk ka qenë prokurori Special. Ajo ka thënë se pyetja që i është bërë është të tregojë se kush janë kryesit e veprës, duke shtuar se po ta dinte kush janë, nuk do ta priste ftesën e prokurorit special. Sipas saj, provat që i ka prokurori duhet të sqarohen.

Haxhiu ka thënë se mostrat e Deharit janë zhdukur në prag të zgjedhjes së drejtorit të ri të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Ne kemi pezulluar procesin sepse lënda është në Prokurorinë Speciale. Sipas informacioneve disa nga mostrat janë gjetur por nuk mund të bëjë publike se cilat janë ato. Unë kam fol një orë e gjysmë”, ka thënë ajo.

“Në cilësinë e ministres së Drejtësisë, kam obligim të angazhohem për drejtësi e të interesohem për vrasjen e një qytetari në duart e shtetit. Prokurori special reagoi me shpejtësi ndaj deklarimit tim, por s’ishte hera e parë që kam thënë një gjë të tillë. Por, pse reagoi tash e pse jo më herët. E po ashtu, a ka reaguar prokurori ndaj zyrtarëve që kishin thënë se Astrit Dehari është vetëvrarë”, ka thënë Haxhiu.

Sipas ministres së Drejtësisë, prokurori Shefkiu s’e ka treguar të njëjtin zell ndaj “reagimeve e mosveprimeve apo veprimeve të gabuara”.

“Nëse tani s’mund të dihen urdhërdhënësit apo ekzekutorët, prokurorët është dashur të merren me ata që s’e kanë kryer detyrën si duhet, e ata mund të jenë nxitur e shtyrë nga dikush. Drejtësi paralele s’mund të bëjmë. Prokurori të dijë që provë s’është vetëm emri i përveçëm i personit të dyshuar për veprën penale, por gjithçka që çon te e vërteta”, është shprehur Haxhiu.

Ministrja ka potencuar se në pyetje është dashur të merren edhe ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha dhe ish-drejtori i Policisë, Nexhmi Krasniqi.

“A janë marrë në pyetje ata. Pse kanë reaguar me shpejtësi se është vetëvrarë…Publikimi i videofilmimeve e kush i ka nxjerr kamerat me planifikim, kush ka menduar dhe ndihmuar të bëjë një gjë të tillë…S’kemi informacione të ketë nisur hetim penal ndaj marrjes së mostrave dhe kush mban përgjegjësi, mostra të papërdorshme…Prokurori po e mban peng, pse s’po zbardhet rasti i Astrit Deharit, drejtësi e llogari sipas përgjegjësisë”, ka shtuar ajo.

Video nga Paradoks

Intervistë ekskluzive: Valdet Zekaj rrëfen në detaje ngjarjen e Kumanovës

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci