Policia e Kosovës përmes një komunikate për media, ka njoftuar se Task-Forca, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës Viti dhe Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë në Jarinje, kanë gjetur dy automjete me mall të kontrabanduar.
Në komunikatë thuhet se në rastin e parë, në rajonin e lindjes, të hënën është vërenjtur një automjet i dyshuar, pa targa që po lëvizte në rrugën Kabash-Smirë-Viti, ku gjatë ikjes ka shkaktuar aksident trafiku me njërën nga veturat e policisë dhe si përfundim është ndaluar.
Të dyshuarit M.M., gjatë kontrollit i janë gjetur mallra të kontrabanduara në vlerë mbi 25.000 euro.
Policia ka njoftuar se janë sekuestruar 7100 poça elektrikë, 300 kg rrush i terur, 1040 kg arra, 200 kg arra indiane, 158 jakne, 55 çanta krahu, 25 mont-jelek, një palë këpucë.
“Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent në Gjilan i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa malli dhe automjeti i përfshirë në rast dërgohen në terminalin doganor Dheu i Bardhë”, thuhet në njoftim.
Kurse, në të njëjten ditë, në rajonin e veriut gjatë patrullimit nga Njësia Intervenuese në Jarinjë, është gjetur një veturë e braktisur në Jellakce, ku e njëjta ishte pa targa dhe në të ndodhesin pije alkoolike dhe të gazuara.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse policore, është bërë tërheqja e mjetit i cili është dërguar në terminalin doganor Mitrovicë, në ndërkohë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, për procedurat e mëtejme hetimore.