Disa organizata të shoqërisë civile i kanë shkruar Komisionit Evropian për propozimin për përfshirjen e pasaportave të Zyrës Koordinuese të Ministrisë së Brendshme të Serbisë në liberalizimin e vizave.
Në një letër dërguar komisioneres evropiane për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson dhe zyrtarëve të tjerë të BE-së, 21 organizata të Shoqërisë Civile kanë kërkuar që ky propozim të tërhiqet.
Në letër thuhet se ky propozim vjen në kohën kur qytetarët serbë të Kosovës kanë filluar që masivisht të aplikojnë për pasaporta të Kosovës, duke ushtruar të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë.
Në letër shpjegohet se policia e Kosovës me organet tjera të sigurisë si KFOR-i dhe EULEX janë duke ofruar siguri të plotë për të gjithë qytetarët e vendit, e në veçanti për ata të komunitetit serb në veri të Kosovës, si pjesë e luftës së përbashkët të këtyre institucioneve ndaj strukturave kriminale prezente në veriun e Kosovës, të cilat sipas tyre i kanë penguar këta qytetarë të integrohen në jetën shoqërore e politike në Kosovë.
Në anën tjetër, thuhet në letër, se të gjitha marrëveshjet në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian të vitit 2023 dhe ato paraprake të viteve 2013 dhe 2015, e po ashtu edhe kriteret teknike të procesit të liberalizimit të vizave, njohin autoritetet e Kosovës si autoritetet e vetme legjitime që kanë të drejtën e lëshimit të pasaportave për qytetarët e Kosovës, përfshirë përgjegjësinë për verifikimin e të dhënave të bartësve të dokumenteve të udhëtimit, obligimet për riatdhesim si dhe të gjitha përgjegjësitë tjera që përfshihen në këtë kuadër.
Sipas këtyre organizatave, nëse miratohet ky propozim do ta lëndojë seriozisht qëllimin dhe zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë të vitit 2023 që të bazohen në parimin e respektimit të integritetit dhe sovranitetit të dyanshëm, marrëveshjeve paraprake për largimin nga Kosova të strukturave paralele të shtetit të Serbisë, si dhe besueshmërinë e Bashkimit Evropian si një ndërmjetësues i paanshëm në këtë dialog. Po ashtu thuhet se do të sfidojë seriozisht përparimet në integrimin e qytetarëve serbë të Kosovës nëpërmjet pajisjes me dokumente të Kosovës, manifestuar ndër të tjera edhe nëpërmjet pajisjes masive me pasaporta të Kosovës gjatë javëve të fundit.
“Do të nxisë dhe inkurajojë strukturat kriminale që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës që të vazhdojnë me kërcënime e kanosje të qytetarëve serbë të Kosovës që synojnë të integrohen në jetën shoqërore dhe politike të vendit. Do të pranojë dokumente personale të lëshuara nga autoritetet të cilat nuk kanë mundësi as teknike e as ligjore të verifikojnë të dhënat e bartësve të këtyre dokumenteve, rrjedhimisht të vendosë në rrezik gjithë zbatimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, proces ky i pritur po aq gjatë nga ne. Do të instalojë një precendent të rrezikshëm ku Bashkimi Evropian do të legjitimonte pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, të manifestuara në këtë rast nëpërmjet lëshimit të paligjshëm të dokumenteve për qytetarët e një vendi tjetër”, thuhet në letër.
Nënshkrues të kësaj letre janë: Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, Instituti i Kosovës për Drejtësi, DokuFest, ÇOHU, Instituti për Politika Zhvillimore, Instituti i Kosovës për Demokraci, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Instituti i Prishtinës për Studime Politike, Lëvizja FOL, Demokraci Plus, Rrjeti i Grave të Kosovës, Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Instituti GAP, Demokracia për Zhvillim, Iniciativa për Progres, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Fondi për Zhvillim të Komunitetit, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim dhe Germin.
Komisioni Evropian të enjten u ka propozuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian t’i heqë vizat mbajtësve të pasaportave serbe që lëshohen nga Zyra Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme kryesisht për serbët e Kosovës.
Në këto pasaporta, vendbanimet e Kosovës figurojnë si vendbanime të Serbisë.
Një vit pasi Kosova e shpalli pavarësinë, BE-ja ia bëri kusht Serbisë që liberalizimi i vizave të vlejë vetëm për pasaportat e zakonshme të saj, çka u reflektua më pas edhe në legjislacionin evropian.
“Për personat që banojnë në Kosovë siç përcaktohet nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 10 qershor 1999 (ndryshe UNSCR 1244) dhe personat me certifikatë shtetësie të lëshuar nga territori i Kosovës (UNSCR 1244), një Zyrë Koordinuese në Beograd do të jetë kompetente për marrjen e aplikimeve të pasaportave dhe lëshimin e pasaportave”, thuhet në pikën 4 të KE-së (1244/2009) – 30 nëntor 2009.