Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar “hetim të menjëhershëm” për rastin e djegies së disa zyrave të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi ka thënë se qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse ka pasur dëmtim të provave që gjenden aty.
Në një reagim në Facebook, Halimi ka shprehur dyshime për ngjarjen. Ka përmendur zhdukjen e provave të rastit të Astrit Deharit në këtë institut rreht një vit më parë.
“Rreth një vit më parë ishin zhdukur prova në këtë rast të ndjeshëm; muaj më herët kishte shpërthyer një zjarr aty; ndërsa tani sërish zjarr në këtë institut?”, ka shkruar Halimi.
Halimi ka thënë se “fatkeqësisht kjo është pamja e dhimbshme e drejtësisë në vend”.
“Në vend se të zbardhet e vërteta, i vihet flakë asaj!”, ka përfunduar ajo.