Faton Fetahu, avokati i PDK-së ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuse e cila ka rrëzuar kërkesën e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, të bërë në korrik të këtij viti në lidhje me anulimin e vendimeve të seancës plenare të 13 korrikut ku kishte përleshje fizike mes pushtetit dhe opozitës.
Fetahu thotë se “gjykata nuk u lëshua në vlerësimin e vendimit të kontestuar për faktin se ky “vendim” ishte i Kryetarit dhe jo i Kuvendit”.
“Fakti se nuk është lëshuar në vlerësimin e kushtetushmërisë së këtij vendimi, nënkupton se vendimet e Kryetarit dhe/apo Kryesisë janë jashtë juridiksionit kushtetues dhe për rrjedhojë, të njëjtat as nuk mund të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese apo në gjykatat e rregullta”, shkruan Fetahu.
Reagimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese pak minuta më parë shpalli Njoftimin dhe Vendimin e saj lidhur me kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, përmes të cilës, kishim kontestuar Vendimin e Kryetarit të Kuvendit për caktimin e Seancës Plenare, të datës 13 korrik 2023.
Përkundër se Rregullorja e Kuvendit është akt i nivelit kushtetues dhe cila miratohet me 2/3 e deputetëve të Kuvendit, gjykata nuk u lëshua në vlerësimin e vendimit të kontestuar për faktin se ky “vendim” ishte i Kryetarit dhe jo i Kuvendit.
Fakti se nuk është lëshuar në vlerësimin e kushtetushmërisë së këtij vendimi, nënkupton se vendimet e Kryetarit dhe/apo Kryesisë janë jashtë juridiksionit kushtetues dhe për rrjedhojë, të njëjtat as nuk mund të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese apo në gjykatat e rregullta (përveç kur krijojnë, ndryshojnë apo shuajnë një të drejtë individuale).
Pra, vendimi vazhdon t’i krijojë hapësirë Kryetarit të Kuvendit që t’i thërrasë seancat në çdo kohë dhe pa e përfillur afatin e Rregullores për njoftim paraprak të deputetëve (para 72 orëve).
Sidoqoftë, në kuadër të gjetjeve të gjykatës është nënvizuar edhe njëherë fakti se: seancat e Kuvendit thirren nga Kryetari i Kuvendit; dhe se rendi i ditës së seancave të Kuvendit caktohet nga Kryetari i Kuvendit dhe i njëjti diskutohet në Kryesinë e Kuvendit dhe konsiderohet i miratuar, përveç kur nuk ka konsensus, duhet t’i paraqitet seancës plenare për miratim.
Ndërkaq, vendimi për caktimin e Seancës Plenare të 13 korrikut as nuk ishte diskutuar në Kryesi e as nuk ishte paraqitur për votim në Kuvend. Në këtë rast, Kryetari i Kuvendit, as nuk kishte respektuar afatin për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe as nuk e kishte vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance – në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i dështimit të mbajtjes së mbledhjes së saj./Paparaci