Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Ballkan, ka dhënë mesazhin se të gjithë që synojnë destabilizimin do të përballen me veprim të fuqishëm të aleancës ushtarake.
Në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, Quni ka theksuar se sjellja destabilizuese e Serbisë natyrshëm nxit tensione.
“Që nga përfundimi i luftës Serbia ka ngritë instalime të shumta ushtarake, ka krijuar baza për stërvitje, është e natyrshme që një sjellje e tillë të nxisë tensione. Autoritet e Kosovës i detyron të ndërmarrin masa. Asgjë nuk i lihet rastit. Dhe kur grumbullohet në dy anët forca të mëdha ushtarake mjafton një incident i vogël që të shkaktojë konflikte të përmasave më të mëdha. Çfarëdo lloj inkursioni ushtarak do të ishte aventurë për Beogradin. Por asnjëherë nuk duhet përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcave paramilitare për të cilat kinse Beogradi nuk ka njohuri dhe është jashtë kontrollit të tyre, ashtu si ndodhi më 24 shtator”, ka thënë ai.
Quni ka shtuar se me qeverisjen aktuale është vërejtur se veprimet e institucioneve nuk janë fort të koordinuara me ndërkombëtarët.
“Është vërejtur se kohët e fundit gjatë mandatit të Qeverisë Kurti jo të gjitha veprimet e Policisë kanë qenë mirë të koordinuara me autoritetet ndërkombëtare. Është bërë thirrje që në raste të tilla ku është koeficienti i lartë i rrezikshmërisë është mirë që veprimet e institucionet të jenë mirë të koordinuara me autoritetet ushtarake ndërkombëtare dhe partnerët tanë”, ka shtuar ai.
Quni ka folur edhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ka kritikuar Qeverinë për mostransparencë, duke thënë se LDK-ja ka ekspertizë dhe mund të kontribuojë në tavolinën e bisedimeve.